Lajme

103 qytetarë kanë vdekur sivjet në komunikacion, mbi 14 mijë aksidente në rrugët e Kosovës


Publikuar më:


Për njëmbëdhjetë muaj (janar-nëntor, 2019), në Kosovë kanë humbur jetën 103 persona në aksidente të ndryshme trafiku, raporton Gazeta Sinjali. Gjatë këtij viti kanë ndodhur gjithësej 14.552 aksidente trafiku.

Megjithëse shifër e lartë e personave që kanë vdekur në komunikacion, përmes statistikave të Policisë së Kosovës dhënë Gazetës Sinjali, vërehet se numri i të vdekurve në aksidente ka pësuar rënie.

Nëse i krahasojmë statistikat e aksidenteve fatale këtë vit me periudhën e njejtë kohore të vitit të kalaur, numri i qytetarëve që kanë humbur jetën në komunikacion ka rënë për 7-të.

“Në periudhën kohore janar-nëntor 2018, nga 85 aksidente fatale jetën e kanë humbur 110 persona, ndërsa në periudhën kohore janër- nëntor 2019, nga 90 aksidente me fatalitet jetën e kanë humbur 103 persona”, thuhet në një përgjigje elektronike të policisë për Gazetën Sinjali.

Për njëmbëdhjetë muaj në Kosovë kanë ndodhur 5.559 aksidente me persona të lënduar, në këto aksidente lëndime të ndryshme trupore kanë pësuar gjithësej 10.712 persona. Numri i personave të lënduar është më i vogël sesa në 11 mujorin e vitit 2018, vitin e kaluar ishin lënduar 11.336 persona.

Ndërsa, 8.903 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Policia thekson se gjatë këtij viti në vendin tonë kanë ndodhur në total 14.552 aksidente.

Ndërsa, për shkelësit e rregullave të komunikacionit janë shqiptuar “411.127 tiketa trafiku”, thuhet më tej në statistikat e PK-së.

Policia e Kosovës vazhdimisht bën apel për kujdes në komunikacion si dhe ka njoftuar qytetarët që nga data 15 nëntor t’i kenë pajisjet dimërore të automjeteve. Në mënyrë që secili automjet të jetë i gatshëm për sezonin dimëror.

To Top