Ferizaj

​Prokuroria në Ferizaj i reagon ministrit Sveçla: Nuk ka njohuri elementare profesionale


Publikuar më:


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, policia e arrestoi 135 herë.

Sipas prokurorisë, këto deklarata janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.

“Për dijeninë e ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu, ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Andaj, ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike”, thuhet në reagim.

To Top