Jose Mourinho e ka konfirmuar rikthimin e tij në futboll.
Në një intervistë për gazetën porgueze ‘O Jogo’, Jose Mourinho e konfirmoi se në verë do t’i rikthehet menaxhimit.
Ish-trajneri i Chelseat, Interit dhe Real Madridit insistoi se do t’i kthehet menaxhimit në fundin e sezonit, mirëpo shtoi se nuk është i sigurt se në drejtimin e cilit klub, transmeton Gazeta Blic.
Mourinho tha se ka oferta të shumta në tavolinë, por la të kuptohet se e dëshiron drejtimin e vetëm një klubi, ku shërbimet e tij kërkohen me të vërtetë.
Ky ndoshta ishte një mesazh për Sir Alex Fergusonin, i cili së fundmi dha mbështetjen e tij për trajnerin aktual të Manchester United, Louis Van Gaal.
“Ju garantoj se do t’i rikthehem punës në verë”, tha Mourinho.
“E gjitha kjo është një çështje e të menduarit, dhe e finalizimit të një vendimi të mirë. Në verë, në fundin e sezonit, të gjithë do ta dinë se cili do të jetë klubi im i ri”, shtoi tekniku portugez.
“Dua të punoj te një klub me përgjegjësi, në një ligë të vështirë, ku nuk do të ketë objektiva të lehta. Kjo nuk lë shumë mundësi”, përfundoi Mourinho.
Kjo fjalia e fundit sigurisht se lë të kuptohet se portugezi do të përfundojë në ‘Old Trafford’. Por, po këto objektiva të vështira mund t’ia përmbushë edhe ish-klubi i tij Real Madrid, andaj mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e portugezit. /Gazeta Blic/