Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi për gati një vit ka sjell tensione në Kosovë, duke filluar nga përplasjet në Kuvend, e deri tek dhuna në rrugët e Prishtinës mes policisë dhe protestuesve të cilët ishin kundër marrëveshjes së Demarkacionit. Partitë opozitare, e disa deputetë të pozitës dhe njohës të fushës së shenjëzimit të kufijve, vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre se Kosova humb mbi 8000 hektarë me marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi.
Njëra ndër partitë opozitare e cila që në fillim ishte kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshje është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në degën e AAK-së në Ferizaj thonë se janë kundër cenimit të integritetit territorial të vendit.
Xhavit Zariqi kryetar i këtij subjekti në Ferizaj, thotë se më mirë do të ishte që Qeveria të pranoj se është e detyruar të ratifikoj këtë marrëveshje se sa të mashtroj qytetarët se shteti ynë nuk po humb asnjë pëllëmbë territor.
‘’Demarkacioni sido që të jetë, edhe nëse kalon më mirë do të ishte për politikanët të thuhej e vërteta se humbim territor por është një çështje e domosdoshme dhe na është imponuar dhe duhet ta pranojmë, por jo të dalin me gënjeshtra dhe mashtrime ndaj qytetarëve se nuk jemi duke humbur teritor’’, tha Zariqi.
Zariqi thotë se nëse Kosova vazhdon të lidh marrëveshje të tilla me shtetet fqinje, mund të mbetet pa territor, duke i falur gjithsecilit nga pak.
‘’Brenga më e madhe është pikërisht këtu, po që se fillon Kosova që me një shtet që tani më është bërë një propozim për vijën kufitare të falë sipërfaqe, me një shtet miqësor, si do të kaloj vija kufitare me Serbinë, këtu do të jetë pastaj një katastrofë jashtëzakonisht e madhe sepse ata kanë pretendime jo vetëm përmes vijës kufitare por për tërë Kosovën dhe nuk e di me këta qeveritarë dhe ekspertë shtetëror sigurisht do të kemi probleme shumë më të mëdha e që do të zgjasin shumë dhe që do të mund të ishin probleme shekullore’’, tha Zariqi.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave, transmeton Televizioni Tema.