Xhavit Zariqi, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Ferizajt, ka thënë se është në interes të qytetarëve ta votojnë atë, sepse ai ka përvojën e nevojshme për ta drejtuar komunën, si dhe për faktin se me qeverinë udhëheq partia të cilit i përket ai.
Ai, në Magazinën Lokale të Klan Kosovës ka prezantuar planin e tij për qeverisje, nëse zgjidhet nga qytetarët, me theks të vecantë në zhvillimin ekonomik dhe investimin në infrastrukturë.
“Është interes i Ferizajt që të votojë për mua, për AAK-në, sepse mundësitë për të thithur fonde nga qeveria janë më të mëdha nëse unë do të bëhem kryetar i qytetit, për shkak se subjekti im udhëheq me qeverinë”.
“Qytetarët e Ferizajt kanë nevojë që unë të jem kryetar komune, sepse kam përvojën e duhur për ta kryer atë. Gjatë mandatit tim nuk do të mbetet asnjë shtëpi pa ujë, asnjë shtëpi e palidhur në rrjet kanalizimi, apo pa qasje në rrugë të asfaltuar”.
“Unë kam në projekt që mbi 100 hektarë në komunë të jetë park biznesi, për kompanitë vendase, por edhe për ato të huaja që janë të gatshme të invesojnë. Po ashtu, do të krijohet një zyrë për këshillim, për të gjitha kompanitë”.