Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në takimin e Komisionit të posaçëm për parandalimin e Koronavirusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nga data 8 shkurt e këtij viti e deri më sot janë testuar 93 persona të dyshuar me Koronavirus, por që kanë dalë me rezultate negative.
“Para gjysmë ore e kam marrë raportin e ri, nga data 8 shkurt e këtij vitit deri sot 93 janë testuar dhe kanë rezultuar negative. Dje dhe sot, 15 rasteve u janë marrë mostrat dhe po pritet që sot të dalin analizat. Mbi 5 mijë udhëtarë janë kontrolluar në pikat kufitare”, ka thënë Vitia.
Ai ka thënë se ka një koordinim shumë të mirë me institucionet e tjera.
“IKSHP po ashtu ka krijuar qendrën e thirrjeve, ku e ka vënë në funksion edhe numrin me pesë linja për këshillimin e qytetarëve se si të mbrohemi nga koronavirusi. Deri sot në Kosovë janë testuar 93 raste, në pikat kufitare janë kontrolluar mbi 5 mijë udhëtarë”, ka shtuar ai.
Vitia ka propozuar që në këtë komision të përfshihen edhe disa anëtarë të tjerë.
Ai ka kërkuar që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës që janë mbi 10 milionë euro të jepen sa më shpejt.