16,04,2024

Vetëvendosje nuk merret me Thaçin, fokusohet në kundërshtimin e Qeverisë Mustafa

Must Read

vetevendosje_970991147

Me rastin e betimit të Hashim Thaçit si president i Kosovës, për nesër në ora 11:00, është thirrur një seancë solemne nga Kuvendi i Kosovës. Përkundër që u përfol rreth një aksioni të mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së nesërme, zëdhënësi i kësaj Lëvizje, Frashër Krasniqi, tha se fokusi i Vetëvendosjes do të jetë në kundërshtimin e Qeverisë Mustafa, por jo lidhur me çështjen e betimit të Thaçit.

Krasniqi tha se për Vetëvendosjen Hashim Thaçi nuk do të jetë asnjëherë president i Republikës së Kosovës, pasi sipas tij, ai përfaqëson majën e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, Hashim Thaçi nuk do të jetë asnjëherë president, për arsye se ky është person që përfaqëson majën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit dhe është vendosur në pushtet falë shantazhit ndaj deputetëve të LDK-së, si dhe falë kompromiseve që ia bëri Listës Srpska për komunat e reja dhe kërkesat për Asociacionin”, tha ai.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes tha se problemi më i madh aktual, sipas Lëvizjes, është Qeveria e Kosovës e cila po tenton të ringjallë marrëveshjet me Serbinë dhe po vazhdon të jetë në pushtet, edhe përkundër faktit që ka shkelur Kushtetutën.

I pyetur për ndonjë aksion të mundshëm gjatë se nesërmes kur Thaçi jep betimin para Kuvendit, Krasniqi tha: “Jo, fokusi do të jetë në kundërshtim të Qeverisë, jo lidhur me këtë çështje.”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi nëpërmjet një komunikate se nëse nuk do të ketë dakordim opozitar, atëherë do të thërrasë e vetme protestë gjithëpopullore. Por, Frashër Krasniqi thotë se Vetëvendosje synon zgjerimin e frontit opozitar, pavarësisht orientimeve dhe vendimeve të subjekteve.

“Është e rëndësishme për opozitën që të zgjerohet fronti i kundërshtimit dhe jo të ngushtohet ai. Normalisht që secili subjekt i ka vendimet dhe orientimet e veta, mirëpo për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme që kundërshtimi ndaj Qeverisë Mustafa të zgjerohet dhe të forcohet duke u krijuar një alternativë e përbashkët me shoqërinë civile”, tha ai.

Ndërsa, sipas tij, një datë për protestën e ardhshme nuk është diskutuar ende nga partitë opozitare, der isa thotë se po diskutohet rreth dallimeve brenda opozitës, të cilat janë shpërfaqur kohëve të fundit.

“Aktualisht jemi duke diskutuar për këtë çështje, pra rreth dallimeve që i ka opozita, krijimin e një fronti të përbashkët, tejkalimin e këtyre dallimeve dhe pas kësaj do të hapim diskutimet lidhur me veprimet e ardhshme. Deri tash nuk kemi diskutim për këtë gjë”, theksoi Krasniqi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës la të kuptohet se pikërisht kjo është brenga kryesore e saj, caktimi i datës për protestën e radhës, pas anulimit të protestës paraprake që do duhej të mbahej më 26 mars.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në Ferizaj u shënua 16 Prilli-Dita e të Zhdukurve me Dhunë

Me rastin e 16 Prillit - Ditës të të Zhdukurve me Dhunë në Komunën e Ferizajt, Komuna e Ferizajt...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img