29,04,2024

Veseli paralajmëron opozitë të fortë dhe rizgjim të fuqishëm të PDK-së

Must Read

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se sot, 20 vjet më pas, Partia Demokratike, trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën.

“Kur askush nuk priti, pasi iu nënshtruam proceseve demokratike, me dinjitet pranuam humbjet politike të brendshme, pas fitoreve në beteja luftarake me Serbinë. Por, PDK nuk shkatërroi asgjë. Ne gjetëm forcën e konsolidimit të brendshëm, morëm përgjegjësitë e mëdha për vendin në procesin e negocimit për të ardhmen e vendit tonë. Qytetari e vlerësoi këtë, mirë dhe drejt. Pas 8 vjetësh, Partisë Demokratike qytetarët ia besuan drejtimin e vendit. Duke shënuar etapën e shtetësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit institucional, financiar dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Duke shënuar etapën e ndryshimeve rrënjësore ekonomike, sociale, infrastruktrore. Duke e bërë Kosovën një dekadë shtet, të barabartë me vendet e rajonit. Të gjitha këto të arritura mbajnë vulën e PDK-së”, ka thënë Veseli me rastin e 20-vjetorit të themelimit të PDK-së.

Ai ka theksuar se gjatë rrugëtimit të tyre, për fat të keq, nuk u shpëtuan edhe gabimeve.

“Megjithatë, për dallim nga të tjerët, ne nuk heshtëm, vepruam. Nisëm përmirësimin e tyre dhe vendosëm një standard të ri etik në politikën kosovare. Për ta ndryshuar Kosovën, e nisëm ndryshimin nga vetja. Dhe, kjo qasje u përqafua nga të gjithë, nga baza jonë elektorale më së shumti. Për këtë, jam shumë, shumë, krenar me ta dhe shumë mirënjohës!”, ka thënë Veseli, derisa fjalimin e tij e ka vazhduar me zgjedhjet e 6 tetorit.

“Gjatë këtyre javëve të fundit, ne bashkë, kemi punuar shumë për t’i fituar këto zgjedhje. Me projektin për një Kosovë perëndimore, pa korrupsion dhe nepotizëm dhe të zhvilluar ekonomikisht. I jam mirënjohës secilit prej jush, strukturave të palodhura dhe aktivistëve plot energji, për përkushtimin e treguar gjatë gjithë këtyre ditëve. Ne bëmë një fushate konkrete, në sfidat që ka vërtet Kosova. Ndërsa, oponentët tanë u morën veç me ne. Ata arritën të bashkohen kundër nesh dhe ta ndërtojnë kauzën kundër nesh. Ne, tani jemi opozitë! Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë. Do të jemi opozitë në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës”, ka theksuar Veseli.

Duka shtuar se PDK-ja nuk do të lejojë me asnjë çmim të dëmtohet stabiliteti i Kosovës. “Ne nuk do të lejojmë cenimin e mirëqenies dhe të drejtat e secilës kategori të shoqërisë sonë. Ne nuk do të lejojmë dëmtimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do t’i mbrojmë orientimet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Për Kosovën, s’ka veri dhe jug, s’ka asociacion me kompetenca ekzekutive dhe s’ka cenim të territorit. Çdo lëvizje nga këto parime, do ta kenë përgjigjen e drejtë dhe të vendosur nga ne. Ka vetëm një Kosovë unike, të mirëqenë, stabile, të respektuar dhe të fortë”, është shprehur ai.

Veseli ka thënë se ky 20-vjetor shënon fillimin e një epoke të re për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Një epoke me qasje të re, me ofertë të re, që i përgjigjen nevojave të Dekadës së Re. Tani, të dashur kolegë, na pret një betejë e re. Kosova ka nevojë për ne. Kosova, më shumë se kurrë, ka nevojë të mbrohet nga mashtrimet dhe mashtruesit. Nga ata që nuk e njohin vlerën dhe sakrificën dhe manipulojnë me vlerat – të cilat i ndërrojnë varësisht nga pozita që kanë. Sado që ata të gabojnë dhe dështojnë, rreziku i madh për të gjithë është ecja prapa nga ajo që kemi arritur. Ne nuk do të lejojmë kurrë që të gabojë dhe të dështojë Kosova. Andaj, ju ftoj sot që ta merrni seriozisht këtë mesazh, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një garë, por kemi të bëjmë me diçka më të thellë dhe më të rëndësishme për shtetin tonë. Tani është edhe momenti i hapjes së madhe të Partisë Demokratike”, ka deklaruar Veseli.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img