Veseli liron nga detyra personat me aktakuza – në mesin e tyre Beqajn, Çekun dhe Kryeziun

Share

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Veseli tha se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

Me këtë vendim sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu.

“Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”.

Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuatra.

Ai gjithashtu  ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara.

“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë liruese, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione. Prandaj, unë kam biseduar me zyrtarët tanë partiakë që kanë aktakuza dhe i kam njoftuar ata për lirimin nga detyrat zyrtare që kanë mbajtur”.

Kreu i PDK-së tha në konferencën me gazetarë se nepotizmi dhe korrupsioni janë rritur në vendin tonë të vogël dhe kjo duhet të ndryshojë me një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizimit.

Të ngjashme: