Ferizaj

Vendimi i ministrit Sveçla ua pamundëson qytetarëve të Kosovës të vazhdojnë vlefshmërinë e letërnjoftimeve


Publikuar më:


Qytetarëve të Kosovës tash e dhjetë ditë nuk po lejohet të aplikojnë për vazhdimin e afatit të letërnjoftimeve.

Kjo për shkak të një vendimi të ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dërguar njësive që lëshojnë dokumente, që mban datën 14 korrik 2021.

Ministri Sveçla ka marrë vendim për vazhdimin e vlefshmërisë për gjashtë muaj të letërnjoftimeve me afat të skaduar.

Një qytetar ka treguar për KALLXO.com se para pak ditësh ka shkuar ne qendrën e Agjencinë për Regjistrimin Civil në Fushë-Kosovë për të aplikuar për ripërtëritje të letërnjoftimit, por aty i kanë treguar vendimin e ministrit që nuk mund të pajiset me letërnjoftim.

Në vendimin e ministrit që është ngjitur në derën e qendrës së ARC-së në Fushë-Kosovë, është edhe shpjegimi i Musa Thaçit, drejtor për Pajisje me Dokumente nga radhët e Agjencisë për Regjistrimin Civil nga MPB-ja, sipas të cilit, qytetarëve u lejohet të aplikojnë për letërnjoftim por duhet të njoftohen se letërnjoftimi u vonohet deri në 3 muaj, kurse nëse aplikojnë për pasaportë ajo i bëhet brenda afatit ligjor.

“Përjashtimit në rastet e veçanta shëndetësore, në rastet kur letërnjoftimi përdoret si dokument udhëtimi si në: Shqipëri, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, mund të pajisen me letërnjoftim brenda afatit ligjor. Për këtë duhet të bashkëngjitet dëshmi shëndetësore. Aplikimi me procedurë të përshpejtuar nuk lejohet deri në njoftimin e ardhshëm”, thuhet në shpjegimin e tij.

Në vendimin e ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla, thuhet se “Të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të vlefshmërisë së letërnjoftimit, letërnjoftimi i tyre konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj me hyrjen në fuqi të këtij vendimi si dhe mund ta përdorin për kryerjen e shërbimeve në institucionet publike dhe private, brenda Republikës së Kosovës”.

Edhe vitin e kaluar qytetarët kanë pasur telashe të pajisjen me letërnjoftime, pasi MPB-ja për katër muaj nuk ka poseduar materialet e nevojshme./ Kallxo.com.

To Top