Një varr shekullor është përfshirë në hapësirën e trotuarit të rrugës “Fadil Rashiti”, në Petrovë të Shtimes, ngase familja Rashiti nuk e ka dhënë pëlqimin për zhvendosjen e tij.
Komuna e Shtimes nuk ka arritur ta bindë as mjekësinë ligjore për zhvendosjen e këtij varri, shkruan sot Koha Ditore. Familjarët thonë se aty janë eshtrat e Halit Rashitit dhe se nuk do të lejojnë zhvendosjen, shkaku i amanetit.

Ekrem Rashiti, familjar i të ndjerit, ka thënë se e gjithë lagjja po e kundërshton këtë rivarrim, ndaj nuk do ta lejojnë as mjekësinë ligjore të intervenojë.
“Komuna e ka marrë pëlqimin për me e realizu projektin, por jo edhe për largimin e varrit. Ne si lagje nuk po lejojmë të rivarroset familjari ynë, sepse prindi i tij e kishte lënë amanet që sa herë të zgjohej në mëngjes ta shohë varrin e të birit para lagjes sonë. Sidoqoftë ky varr nuk pengon asgjë, madje as lëvizjen e qytetarëve, sepse është ngushtuar dhe është mbuluar shumica me kubëza të betonit.

Pra, nuk do ta lejojmë askënd që ta rivarrosë atë”, ka thënë Rashiti.Shqipe Rexhaj, drejtoreshë për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Shtimes, e ka konfirmuar se nuk kanë arritur ta bindin familjen për zhvendosjen e varrit.

