28,11,2024

“Ujqërit e Putinit” ngrenë kamp ushtarak në Sllovaki?!

Must Read

Klubi i motoristëve Ujqërit e Natës, anëtarët e të cilit ishin në krye të pushtimit rus të Krimesë, ndërsa nga mediat janë quajtur “Engjëjt e Putinit”, ka ngritur selinë në një ish-bazë ushtarake në Dolna Krupa, rreth 60 kilometra në verilindje të Bratisllavës.

Ky veprim i klubit, i njohur për promovimin e nacionalizmit rus, për urrejtje ndaj homoseksualëve dhe feministëve dhe për besnikëri ndaj Kremlinit, duket se ka për qëllim zbulimin e një ane të errët dhe anti-perëndimore të këtij vendi të Bashkimit Evropian, i cili ka elemente të konsiderueshme të ekstremit të djathtë dhe rusofile.

Grupi, i cili është goditur me sanksione nga Perëndimi për shkak të mbështetjes së separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, është formuar në Sllovaki muajin e kaluar.

“Ata kanë ardhur për të irrituar demokratët dhe për të rekrutuar njerëz që janë në gjendje të shtënë mbi Ukrainën”, tha Jan Budaj, politikan opozitar në Sllovaki dhe nënshkrues i Kartës 77 të epokës komuniste.

“Ata po sjellin një mesazh që për qëllim ka prishjen e BE-së dhe shpërbërjen e NATO-s”, tha Budaj.

Me murin e zi, të lartë 2 metra dhe me tela gjemborë në krye, që rrethon objektin, pak kush e di se çfarë ndodh brenda.

Por, gjykuar nga fotografitë e bëra me dron, atje ka tanke, automjete të blinduara dhe pajisje policore.

Sipas gazetës Hospodarske Noviny, dega lokale e Ujqërve të Natës udhëhiqet nga Jozef Hambalek, i cili, siç shkruan ky medium, zotëron pronën dhe është i afërt me ish-ministrin e Brendshëm sllovak, Robert Kalinak. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë komente publike për bazën.

Hambalek thuhet se dëshiron të hapë një muze ushtarak në kompleks.

Por, pajisjet ushtarake thuhet se janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka pezulluar Millosllav Çapalloviqin, kreun e Institutit të Historisë Ushtarake, për lejen që pajisjet t’i jepen me qira Hambalekut.

“Qartazi, kreu i Institutit të Historisë Ushtarake, Millosllav Çapalloviq, nuk ka arritur të kontrollojë tërësisht sfondin e kësaj shoqate të qytetarëve dhe kështu ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Danka Capakova.

‘Përtej kufijve’

Policia tha se ka monitoruar aktivitetet e grupit, porse, deri tani, nuk ka parë asgjë të paligjshme.

Ministria e Jashtme shprehu shqetësim, duke thënë se “aktivitetet e anëtarëve të grupit duhet të monitorohen dhe vlerësohen me kujdes”.

Jaroslav Nagy, drejtor i Institutit të Sllovakisë për Politikat e Sigurisë, paralajmëroi kundër qasjes së butë ndaj kësaj çështjeje.

“Kjo është përtej kufijve të lejuar… Veprimet e tyre janë parë gjithmonë si propagandë”, tha Nagy për Shërbimin e Rusisë të Radios Evropa e Lirë.

Udhëheqësi i Ujqërve të Natës, Aleksandr Zaldostanov, është parë shpesh në publik me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe është i njohur për deklaratat e tij të ashpra nacionaliste.

Ai e ka udhëhequr grupin në disa udhëtime provokuese në të kaluarën, përfshirë udhëtimin në Berlin në Ditën e Fitores dhe ndezjen e qirinjve në Katin, ku Josez Stalini thuhet se ka urdhëruar ekzekutimin e dhjetëra mijëra oficerëve polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në muajin mars, edhe pse pa Zaldostanovin, dhjetëra Ujqër të Natës kanë marrë pjesë në një turne që e kanë quajtur “Ballkani rus”.

Në Sllovaki, grupi Iniciativa Studentore u shpreh i shqetësuar me situatën dhe thirri protestë për më 27 korrik.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të kundërshtojnë një objekt të tillë në territorin tonë, si dhe të tregojnë se siguria e vendit tonë nuk është vjedhur”, tha Timothy Lauko nga Iniciativa Studentore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img