Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se skena politike është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin. Sikur të ketë bërë matje, Thaçi thotë se 80 për qind e qytetarëve qëndrojnë pas idesë së tij. Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj shprehet kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, Thaci thotë se ministrat e Haradinajt i ka kah vetja.
Megjithatë, ai nuk e ka lënë as këtë rast pa e shpotitur kryeministrin Haradinaj, duke thënë se ata që flasin për luftë dhe tragjedi më së pakti janë të interesuar për probleme dhe konflikte.
“Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se nuk ka individë që do të mund ta bllokojë këtë proces, sepse do të shkohet në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre.
“Sot, 90 për qind e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin. 80 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98 për qind e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individë që do mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.
Mbrëmë Thaçi ka marrë pjesë në një debat me analistët Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi, në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës.