Faton Topalli, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, ka thënë se prioritet i tij, nëse merr mandatin për të udhëhequr me komunën, janë arsimi, shëndetësia dhe urbanizmi.
Ai, në Magazinën Lokale të Klan Kosovës, ka thënë se ishte kërkesa e aktivistëve të VV-së dhe qytetarëve të shumtë të Ferizajt, arsyet që e shtynë të kandidojë, megjithëse kishte vendosur ndryshe paraprakisht.
“Prioritet tona kryesore janë arsimi, shëndetësia dhe ubranizmi. Shkollat do të jenë atraktive për nxënësit, do të ketë kënde leximi dhe shujta për nxënës. Do të ndërtojmë në cdo 24 muaj nga dy cerdhe. Shëndetësinë do ta depolitizojmë, dhe do të krijohet fond i vecantë për t’i furnizuar qytetarët me barëra”.
“Në fushën e urbanizmit, që është i degraduar tërësisht, do të krijohet rregull, përmes hartave zonale. Në krejt fushat ne do të bëjmë punë të madhe për të pasur qeverisje të mirë”.
“Kërkesa e aktivistëve të Vetëvendosjes dhe qytetarëve më ka shtyrë që të kandidoj për kryetar komune. Mendoj që afatësitë menaxhuese që posedoj janë të rëndësishme në udhëheqjen e komunës. Unë do të qeveris duke u mbështetur në ligje, së bashku me qytetarët. Ferizaj është gati për ndryshimin. Lëvizja Vetëvendosje është ndryshimi. Të tjerët janë përsëritja”.