Me gjithë thirrjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të mjekëve e autoriteteve kosovare, që të respektohen masat në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit korona, respektim i këtyre masave nuk u pa sot në Ferizaj, raporton Televizioni Tema.
Grumbull i madh i qytetarëve ishte mbledhur para hyrjes së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, të cilët po prisnin për të marrë insulinë me frikën se do të mbesin pa të, për shkak të masave të reja që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë.
Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj Bekim Ademi, tha se këta pacientë nuk duhet të shqetësohen për kufizimet e vëna nga Ministria, meqë kufizimi i lëvizjes nuk vlen edhe për pacientët me insulinë.
“Qytetarët e kanë marrë me shqetësim informatën nga Ministria se do të ketë kufizim të lëvizjes dhe vetëm brenda orarit të caktuar, por unë i ftoj personat që janë me diabet dhe marrin insulinë që mos të shqetësohen, ata kanë mundësi edhe ditëve të tjera të shkojnë dhe të marrin insulinë dhe mos të krijojnë aty shumë tollovi duke mos ruajtur edhe distancën socciale. Personat të cilët janë të sëmurë kanë të drejtë të lëvizjes dhe të shkojnë nëpër Qendra të Mjeksisë Familjare”, tha Ademi
Ademi tha se në stoqet e QKMF-së për momentin ka insulinë, ndërsa depoja qëndron e hapur çdo ditë pune nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00.
“Sa i përket insulinës është kompetencë e Ministrisë dhe ata i sjellin në bazë të emrave dhe mbiemrave, çdo person që është me insulinë Ministria kujdeset dhe i sjell për emrat e caktuar. Për momentin ka në depo, Ministria i ka sjell dhe është duke vazhduar shpërndarja e tyre, ka etapa që mungojnë që nuk i sjell Ministria me kohë, por tani për tani ka”,tha Ademi.
Tollovi e madhe u pa edhe para institucioneve bankare në këtë qytet. Shumë qytetarë ia kishin mësyer bankave për të hapur xhirollogari në mënyrë që të përfitojnë mjete financiare nga Pakoja Emergjente Fiskale. Duke mos pranuar të flasin para kamerës, ata thanë se po e shfrytëzojnë ditën e sotme, meqë nga nesër lëvizja e qytetarëve do të lejohet vetëm për 1 orë e 30 minuta, ndërsa bankat janë të hapura nga ora 09:00 deri në orën 14:00, ku për shumë qytetarë qarkullimi brenda këtyre orëve do të jetë i ndaluar.