26,11,2024

Tiranë: Studiuesit komentojnë nostalgjitë e diktaturës dhe ndikimin tek e sotmja e shoqërisë

Must Read

Një muze i ri hapet nesër në kampin e internimit të Tepelenës, në ditën europiane që kujton viktimat e stalinizmit dhe nazizmit.

Profesorë të njohur në Shqipëri komentojnë me shqetësim nostalgjinë, që ka një pjesë e shoqërisë shqiptare ndaj regjimit komunist.

Nostalgjikë të diktaturës komuniste shfaqin ku të munden parulla të vjetra, ndërsa fotoja e diktatorit Enver Hoxha gjendet në faqet e shtypit çdo mëngjes, duke shitur gazetat.

Kjo është sot Tirana, ku ende pas 25 vjetësh nuk janë zbardhur plotësisht krimet e regjimit komunist. Studiuesja e njohur Ana Lalaj thotë se aktualisht segmente me peshë e ndikim në shoqërinë shqiptare, mundohen ta frenojnë ndarjen e qartë dhe të prerë nga komunizmi.

Shumë njerëz flasin për diktaturën, por mbahen mbyllur edhe dosjet për diktatorin Enver Hoxha, thekson ajo.

“Ende në Arkivin Qendror Shtetëror fondi i Enver Hoxhës rri i mbyllur. U hap një herë tani rri i mbyllur. Pse ndodh kjo? Për mendimin, tim ndodh sepse ende ekzistojnë segmente që duan ta mbajnë të rrethuar në mister figurën e Enver Hoxhës” – tha zonja Lalaj.

Kur u përmbys regjimi komunist në fillim të viteve 90 shqiptarët kishin shumë shpresa për liri, demokraci dhe mundësi, por ata nuk patën kohë të mjaftueshme për të hapur mendjet e tyre. Ndërsa tani po mbizotëron nostalgjia për regjimin komunist, thotë Dr. Amy, sepse njerëzit kanë pasiguri për të sotmen.

“Ajo që ne harrojmë nga ajo nostalgji është dhuna që diktonte jetët e njerëzve, frika nën të cilën njerëzit jetonin. Nostalgjia mbetet te pasiguria në të tashmen dhe tek një lloj amnezie, që njeriu harron se çfarë ka paguar e vuajtur atë kohë. Pa një mënyrë për të menduar për të ardhmen, ne kthehemi te e shkuara dhe kujtojmë se ka qenë më mirë. Ndërsa sot askush nuk gjen një vend punë pa qenë me partinë politike në pushtet, dhe sa herë ndërrohet qeveria këtu zëvendësohen njerëzit kompetentë me besnikë të partive politike. Pasiguria te e ardhmja ndjehet edhe në shërbimet spitalore, edhe në shkolla ku edukimi nuk po bazohet tek meritat. Njerëzit sot po ndjehen të pasigurtë dhe kujtojnë se kanë qenë më të sigurt atëherë”, – thotë dr. Amy.

Ndërsa studiuesi Romeo Gurakuqi tha se Shqipëria ka sot një krizë të sistemit, sepse ndodhi një reformim jo i plotë i shoqërisë shqiptare, e cila doli e shkatërruar nga komunizmi ekstrem me vuajtje të rënda.

Përveç viteve të para në 1990, sipas tij, gjithmonë shoqëria ka bërë hapa prapa sa i takon distancimit nga e kaluara, thotë dr.Gurakuqi, dhe shoqëria u komunistizua, në vend që të dekomunistizohej.

“Partia e Punës e Shqipërisë arriti të mbijetonte jo vetëm sa i përket burimeve njerëzore, por para së gjithash e lidhur me bazamentin ideologjik edhe të kamufluar brenda një socializmi gjoja demokratik. Shqipëria nuk kreu të plotë procesin e dekomunistizimit dhe rrënjësor” – tha zoti Gurakuqi.

Ndonëse gjatë regjimit komunist janë krime të shumta, sot shoqëria ende nuk e ka kulturën e pendesës dhe të ndjesës. Dr. Lalaj thotë se politika ende nuk është ndarë nga e kaluara dhe kjo u dha zemër nostalgjikëve të diktaturës, të cilët sot janë më të stërholluar dhe i risjellin figurat e regjimit komunist si modele për shoqërinë dhe për qeverisjen e sotme.

“Në nivel qendror dhe vendor përdoren metoda arrogante qeverisje ndaj atyre që nuk kanë lidhje me pushtetin. Në një shoqëri ku për vite me radhë, për dekada dhe madje shekuj me radhë ka patur një kulturë nënshtrimi, kjo mënyrë qeverisje është shumë e lehtë, është rruga më e lehtë. Sot ka plot modele qeverisje ka plot, por është një kollajti që zgjidhet nga pushtetarët për qeverisjen. Arbritrariteti i pushtetit dhe nostalgjia për komunizmin mendoj se janë si ato enët komunikuese, që ushqejnë njëra tjetrën.

Nga ana tjetër, zonja Amy thotë se nuk ka asnjë kuptim që një 25 vjeçar të ketë nostalgji për komunizmin. Ata nuk kanë asnjë ide për të dhe dinë aq sa u tregojnë familjarët e tyre, kështu kujdeset që ta përcjellë këtë nostalgji.

“Gjysma e vendit është nën 30 vjeç. Ato dinë vetëm ç’kanë dëgjuar nga familjarët e tyre. Kjo është një traume që po përsëritet sepse ne nuk jemi përballur me të shkuarën komuniste. 25 vite pas dhe nuk kemi librat në shkollë, nuk kemi qendra që të analizojë çfarë ndodhi dhe çfarë pasojash la tek njerëzit. Pa këto njohuri dhe informacione rinia mund të bjerë pre e nostalgjive”, – tha zonja Amy.

Nga ana tjetër, zoti Gurakuqi tha se rikthimi i komunistëve në pushtet në 2013 me një të ashtuquajturin program i Rilindjes ndodhi pas një aleance me krimin e organizuar dhe po kjo po i shuan shpresat për zhvillimin europian të vendit, ndaj shqiptarët po largohen masivisht nga atdheu.

“Ata kanë arritur sot që të kenë pushtetin dhe në Shqipëri të zbrazur nga populli, që i rrëzoi në vitin 91-92. Tani kanë arritur të kontrollojnë ekonominë dhe politikën e vendit, reformat dhe t’i deformojnë në kundërshtim me modelet teorike dhe praktike të vendeve, që kanë qenë të suksesshme” – tha zoti Gurakuqi.

Studiuesit mendojnë se mos reformimi i shoqërisë me sytë nga Europa e ka rënduar situatën deri në ditët e sotme, sepse nuk u ndoqën dhe u braktisën mësimet dhe këshillat e disidentëve të vërtetë politikë nga jashtë vendit se si të ndërtohej një Shqipëri e vërtetë demokratike.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img