Presidenti Hashim Thaçi e ka konfirmuar se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e ka telefonuar gjatë ditës së djeshme për t’u sqaruar në lidhje me deklarimet që ky i fundit i kishte bërë në bisedën me satiristët rus që ishin shtirë si ish presidenti i Ukrainës, Poroshenko.
Zoran Zaev, kishte deklaruar se Kosova po pretendon t’i jap Serbisë 10 komuna në veri të vendit dhe të marrë disa komuna në jug të Serbisë.
“Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës filluan negocimet për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve, por ne jemi kundër kësaj”, është dëgjuar t’i thotë Zaev dy satiristëve rus gjatë bisedës.
Mirëpo Thaçi, thotë se në lidhje me këtë është sqaruar në një bisedë 20 minutëshe me Zoran Zaevin.
“Unë mbrëmë kam zhvilluar telefonatë 20 minuta me kryeministrin Zaev. Ai më ka thirrur mua si president i Republikës së Kosovës për tu sqaruar në atë se çfarë ai ka biseduar me njerëzit që e kanë thirrë. Më ka thënë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka ra pre e mashtrimit dhe çka ai ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës që do ti jepen Serbisë, i ka folur duke u bazuar në thashethemet, dezinformatat e gazetës Sputnik”, tha Thaçi para mediave.
Ai thotë se Zaev i ka kërkuar falje atij dhe qytetarëve të Kosovës.
“Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës si dhe ka potencuar se ato çka ai ka folur janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe nuk ka asnjë fakt apo evidencë për ato çfarë ka deklaruar, për të gjitha janë lajmet të rreme e dezinformata”, tha tutje ai.
Thaçi thotë se përgjimet që kanë rrjedhur nuk do t’i dëmtojnë raportet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë.
Ai thotë se raportet do të mbeten të njëjta, të fqinjësisë së mirë.