27,07,2024

Thaçi takoi të rinj nga Kosova dhe Serbia: Jeni shembull i pajtimit!

Must Read

Në një bashkëbisedim me këta të rinj, presidenti Thaçi ka folur për raportet Kosovë – Serbi dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Ai ka theksuar se dialogut po i kontribuojnë edhe të rinjtë në Kosovë e Serbi dhe se një forum i tillë është shpresëdhënës se dy shtetet dhe popujt do ta tejkalojnë konfliktin qindra vjeçar.

“Përmes nismave të tilla, të rinjtë në dy shtetet kanë ecur shumë më përpara se politika. Ju jeni zotuar që ta ndërtoni një të ardhme të sigurt evropiane të bashkëpunimit, zhvillimit dhe mirëqenies në mes qytetarëve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Prej të rinjve nga Serbia dhe Kosova, presidenti Thaçi është pyetur edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas 100 viteve me probleme dhe konflikte, presidenti Thaçi ka thënë se kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në prill të vitit 2013 dhe kjo ishte një e arritur e madhe.

“Shpresoj që të kemi një fuqizim të dialogut, me prioritete më të larta politike në të ardhmen e afërt mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultonte edhe me një traktat apo marrëveshje të paqes, fqinjësisë, miqësisë dhe pajtimit”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Presidenti është pyetur edhe për të pagjeturit shqiptarë, serbë dhe të komuniteteve tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk dëshiron që vendi të mbetet peng i historisë, por të kemi një bazë të fuqishme që të ndërtojmë një të ardhme të sigurt të bashkëpunimit.

“E kaluara jonë 100 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë me probleme, konflikte, armiqësi dhe me urrejtje. Dhimbja është e njëjtë për atë që i është vrarë burri, pa dallim etnie. Ekziston domosdoshmëria për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e të pagjeturve, që është edhe çështje humanitare. Në takimin që kam zhvilluar me dy organizatat që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve, me organizatën shqiptare dhe atë të serbëve të zhdukur, kam kërkuar që kjo çështje urgjentisht të shtrohet për zgjidhje në Bruksel”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pyetur për barrikadat që ishin vendosur kohë më parë mbi lumin Ibër në Mitrovicë të cilat tashmë janë larguar, presidenti Thaçi ka thënë se largimi i tyre ishte rezultat i procesit të dialogut në Bruksel.

“Është rezultat i dialogut që ka ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe hapja e pikave të reja kufitare është sukses dhe është rezultat edhe i diskutimeve të përbashkët”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi është pyetur edhe se ku e sheh Kosovën pas 10 viteve.

Ai ka thënë se Kosova do të jetë pjesë e NATO-s dhe nëse nuk do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, ajo do të jetë në prag të anëtarësimit në familjen e shteteve evropiane./Lajmi.net

y-01 y-02 y-03 y-04 y-07

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Protestohet në Ferizaj, kërkohet lirimi i Blerim Ramadanit

Me protestë gjithëpopullore nën organizimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, sot bashkë me familjarë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img