01,12,2024

Tërmeti lë pas qindra ndërtesa të dëmtuara

Must Read

Nënprefektura e Matit në njoftim shpërndarë për mediat bën me dije se nga raportimet e kryepleqëve në njësitë e pushtetit vendorë, janë dëmtuar disa banesa në fshatrat Macukull, Urakë, Rukaj dhe Lis. Në total, nënprefektura e Matit raporton 90 banesa të dëmtuara në territorin e bashkisë Mat dhe 36 banesa në bashkinë Klos. Sipas prefekturës dëmet janë përqendruar në plasaritje të mureve të ndërtesave, dëme në orenditë shtëpiake dhe jo në njerëz. Bashkitë e kësaj prefekture kanë ngritur grupet që po punojnë në terren për verifikimin dhe vlerësimin e dëmit.

Ditën e shtunë pas tërmetit Ministria e Mbrojtjes dha një vlerësim më të vogël të dëmëve të shkaktuara në një vlerësim paraprak. Ministria e Mbrojtjes shpërndau një njoftim për mediat ku bënte me dije se ishin 12 banesa të dëmtuara në bashkinë Klos, kryesisht në çarje muresh, dëmtime tavanesh etj, 8 banesa të dëmtuara në bashkinë Mat dhe 47 banesa të dëmtuara në bashkinë Bulqizë.

Flamur Jella, drejtues i Emergjencave Civile në Bashkinë e Bulqizës në një bisedë telefonike për BIRN u shpreh se deri më tani ka dëmtime të tilla si plasaritje apo ndonjë dëmtim tjetër të vogël, por jo dëme të konsiderueshme apo që mund të jenë kërcënim serioz për jetën e banorëve:

“Deri më tani pranë strukturave të Emergjencave Civile në bashkinë Bulqizë janë raportuar 47 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti i djeshëm. Ne dyshojmë se ka pasur edhe dëmtime që mund të jenë edhe nga tërmetet e tjera, por për këtë, së bashku me një grup nga prefektura do të inspektohen një për një të gjitha banesat. Deri më tani raportohet se numri më i madh i banesave të dëmtuara është në Martanesh, disa fshatra të Shupenzës dhe në Zerqan,” tha Jella.

Nerim Dema, punonjës i emergjencave civile në bashkinë Klos i tha BIRN në një bisedë telefonike se tërmeti i së shtunës ka sjellë vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht ish pa dëme në njerëz. Për Demën, deri më tani në territorin e bashkisë Klos janë evidentuar 36 banesa të dëmtuara.

“Fshatrat Cerrujë dhe Patinë janë më të prekurat deri më tani, por ka edhe të tjera. Dëmtimet janë kryesisht plasaritje muresh, suvaje dhe disa çati të dëmtuara,” u shpreh për BIRN Dema.

Ditën e sotme në fshatrat ku ka pasur dëmtimet më të mëdha nga tërmeti kanë shkuar edhe prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu i tha BIRN se nga institucioni që ai drejton janë marrë të gjitha masat e nevojshme për përballimin e një situate të tillë.

“Unë sot jam në terren bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm i Emergjencave Civile. Prefektura ka ngritur grupet e punës për evidentimin e çdo shtëpie të dëmtuar dhe fatmirësisht deri më tani raportohen vetëm 3 shtëpi që janë bërë të pa banueshme, edhe këto shtëpi janë shumë të vjetra dhe duhet parë nëse kanë qenë të banueshme më parë apo jo. Zona më e dëmtuar nga tërmeti është ajo e Matit ku numërohen afro 90 banesa të dëmtuara dhe në Klos afro 36,” u shpreh Shehu për BIRN.

Në total, bashkitë Mat, Klos dhe Bulqizë raportojnë për 173 banesa të dëmtuara.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img