29,03,2024

Teatri Adriana në Ferizaj del me kundër-reagim: MKRS nuk ka financuar me asnjë cent Festivalin e Teatrove për vitin 2021

Must Read

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dje, me vonesë, pas reagimit të organizatorëve të Festivalit të Teatrove, doli me një reagim me titull të gënjeshtërt se “MKRS mbështet Festivalin e Teatrove në Ferizaj”.

E gënjeshtërt sepse qëllimshëm MKRS ndryshe tenton të argumentoj në radhët e reagimit e ndryshe në titull.

Sa për ilustrim të fakteve e argumenteve:

– MKRS nuk ka financuar me asnjë cent Festivalin e Teatrove për vitin 2021, sipas thirrjes publike të shkurtit për projektet teatrore të këtij viti;

– MKRS në reagimin e saj të thatë, pa bazë argumentuese, qëllimshëm ngatërron faktet e madje edhe vitet, kur objekt i reagimit tonë për mosfinancim është Festivali i Teatrove për vitin 2021 e jo për vitin 2020;

– Në vitin 2020, nuk u mbajt Festivali i Teatrove jo nga dëshira e organizatorëve të Festivalit por nga vendimet e IKSHPK-së dhe Qeverisë për ndalimin e ngjarjeve të tilla diktuar nga pandemia COVID-19;

– Madje, naivisht, MKRS tenton t’i jap “zgjidhje”, “përgjigje” reagimit tonë për mosfinancim në vitin 2021 duke përmendur fondet e vitit 2020 ku shprehet se i është “kumtuar organizatorëve të Festivalit” shpenzimi i fondit të vitit 2020 për Festivalin.

E kur jemi tek faktet, MKRS qëndron skajmërisht keq, pa bazë e madje kundërthënës.

-Së pari, për mos shpenzimin e plotë të fondit të Festivalit të vitit 2020, kemi njoftuar Ministrinë me shkresë zyrtare qysh më 19 Shkurt 2021, krahas edhe aplikimit që kemi bërë për financim në projektet kulturore për vitin 2021. Nuk kemi marr asnjë përgjigje zyrtare, as me shkrim as verbalisht për shpenzimin apo jo të fondit të vjetëm, apo kthimin eventual të tij, ngaqë nuk u mbajt edicioni i vitit 2020 i Festivalit të Teatrove;

Së dyti, pasi u publikuan në Qershor të këtij viti,  rezultatet preliminare për përfituesit e projekteve kulturore për vitin 2021, doli se nuk ishim fitues të projektit për Festivalin e Teatrove për vitin 2021. Pa pretendime për bujë mediale apo reagime të hershme, ushtruam më 25.06.2021 ankesë në afat ligjor ku sërish potencuam faktet sa i përket fondit të vitit 2020 për Festivalin e Teatrove dhe sigurisht për të kërkuar edhe arsyen pse nuk u mbështetëm në vitin 2021, në edicionin e 51 të Festivalit të Teatrove. Sërish, pa përgjigje nga MKRS, edhepse në dijeninë e tyre, ngaqë kësaj radhe dy herë i potencuam këto fakte në komunikime zyrtare,  në neglizhencë të plotë nga ana e tyre, u shpallën edhe rezultatet përfundimtare, ku prapë nuk dolëm përfitues të projektit.

Natyrisht, trajtimi kaq jo i denjë nga një institucion i shtetit siç është MKRS ndaj një Festivali që shënon vitin jubilar të 50-të, përkatësisht të 51-të, edhepse i komunikuam vazhdueshëm por asnjëherë nuk morëm përgjigje, nxiti reagimin tonë publik më 13.07.2021.

Çuditërisht, vetëm pas reagimit tonë publik më 13.07.2021, të nesërmen më 14.07.2021 u përmend, u zgjua administrata e MKRS-së duke dërguar një e-mail me përmbajtje të jashtëligjshme, përmes së cilës kërkon që deri më 31 Korrik të mbyllet projekti i financuar për Festivalin e Teatrove të vitit 2020. Po, po, të mbyllet në gati fundin e vitit 2021, projekti i vitit 2020!! Madje për 2 javë kohë, ku fare qartë edhe në shkresat dërguar MKRS, është precizuar se Festivali i Teatrove në Ferizaj, tashmë tradicionalisht mbahet në muajt Shtator apo Tetor e jo në Korrik, siç kërkojnë zyrtarët e MKRS, jashtëligjshëm të mbyllet projekti. Pra, MKRS me letër zyrtare, thotë: mbylleni projektin e vitit 2020, tash në fund të vitit 2021!! Madje për dy javë, kur as nuk ka sezon aktiv teatror. U deshën të kalojnë muajt Janar, Shkurt, Mars, Prill, Maj, Qershor dhe të hyjmë në muajin Korrik, edhepse dy herë iu drejtuam me shkresë zyrtare sesi të veprojmë me fondet e vitit 2020, tek tani, pas reagimit tonë, të marrim një shkresë nga MKRS-ja.

Së treti, për të shtuar paradoket brenda të njejtit departament të MKRS-së, nga biseda verbale e drejtorit të Festivalit, realizuar këtyre ditëve, zyrtarët e MKRS, sugjerojnë që organizatori tek tani të bëjë kërkesë për shpenzimin e buxhetit të ndarë për Festivalin e Teatrove për vitin 2020, e pas kërkesës të pres miratimin e MKRS për shpenzimin e këtyre fondeve.

Tani, të bëhet kërkesë që të shpenzohet fondi i vitit 2020, apo të bëhet diametralisht e kundërta, të mbyllet projekti deri më 31 Korrik siç sugjerojnë zyrtarisht zyrtarët e MKRS-së?!Kush duhet ta ndajë qartë sesi të veprohet kur ekzistojnë dy sugjerime të kundërta nga MKRS?!

E pra, edhepse të paktën dy herë u njoftuan zyrtarisht, me inicativën tonë, për projektin e papërfunduar të vitit 2020, MKRS zgjodhi të hesht e të mos kthej përgjigje apo sugjerim sesi të veprohet, për më keq, penalizoi mbështetjen për vitin 2021 nga neglizhenca e zyrtarëve për të dhënë udhëzimet sipas detyrës zyrtare sesi të veprohet me fondin e vitit 2020.

Këtu del sheshazi gënjeshtra publike e shkruar në reagimin e MKRS-së se për shpenzimin e fondit të vitit 2020, “janë kumtuar organizatorët e Festivalit”. Me këtë rast, sfidojmë zyrtarët e MKRS-së që të zbardhin komunikimet zyrtare që faktojnë pohimet e tyre.

Dashamirë të Teatrit,

MKRS, në reagimin e saj neglizhon faktin se kemi të bëjmë me organizimin e jubileut të 50-të, përkatësisht vitin e 51-të të Festivalit të Teatrove, që natyrisht i bie për nder ta bëj një organizim më të veçantë, me aktivitete paralele, të zgjeruar e që kërkon financime shtesë, të gjitha këto të njoftuara me aplikimin tonë për projektet e vitit 2021. Por MKRS zgjedh që ftohtë, thatë, pa ndjeshmëri të shprehet se fondet e vitit 2020 të përdoren për edicionin e sivjemë, duke përjashtuar kështu edicionin 51 dhe veçantinë që me patjetër meriton në këtë jubile.

Kështu pra, trajtohet nga MKRS, Festivali i Teatrove me 51 vite jetëgjatësi, më të vjetrën në trojet shqiptare.

Kështu pra, MKRS refuzon financimin e Festivalit, si rezultat i neglizhencës e moskomunikimit të zyrtarëve të saj me organizatorët e Festivalit, një “trashëgimi shpirtërore” në proces për t’u shpallur e tillë nga vet MKRS-ja!!!

Kështu, pra, edhe me kërkesat tona pa përgjigje nga MKRS, pas reagimit publik sugjerojnë ta mbyllim sa më parë projektin dhe njëkohësisht ta bëjmë kërkesën për shpenzimin e fondit të vitit 2020!!!

Kështu pra, nuk u përbuz vetëm rrjedha e artit skenik në Ferizaj por në gjithë vendin, emblemë të cilës kanë Festivalin e Teatrove.

Kështu pra, Ministria e Kulturës nuk deshi ta financoj, as nuk lëvizi gishtin, që në përmbushje të detyrës së saj, me vullnet të mirë, të kapërcej telashet eventuale teknike, edhepse nuk pati të tilla, sepse i njoftuam por hasëm në vesh të shurdhër, por vendosi të sillet gjykuese e fakteve të shtrembëruara nën petkun e procedurave “administrative-ligjore”

Të gjendur në një pozitë të padenjë karshi nesh, ne megjithatë do t’i drejtohemi MKRS, për të kërkuar udhëzimet e veprimeve të mëtejme me fondin e vitit 2020 sipas procedurave të rregullta ligjore si dhe gatishmërinë tonë për kthimin e plotë të këtij fondi të ndarë për vitin 2020.

Ferizaj edhe me zero buxhet nga MKRS për Festivalin e Teatrove 2021, edicionet 50 dhe 51, do ta organizoj këtë kryengjarje kulturore-teatrore kombëtare, me financimin e Komunës së Ferizajt dhe donatorëve vullnetmirë, por ama Ferizaj nuk duron arrogancën, përbuzjen, trajtimin e padinjitetshëm, që një Ministri si kjo e kulturës, do të duhej ta luftonte e jo ta promovonte, aq më keq, ta artikulonte publikisht si një gënjeshtër këmbëshkurtër.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img