18,11,2024

Të rinjtë: Qeverisë s’i intereson liberalizimi i vizave

Must Read
Liberalizimi i vizave

Një nga kushtet e fundit që Kosova duhet të plotësonte, ishte ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Por, pas tërheqjes së Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ky proces besohet se është shtyrë të paktën deri në pranverën e vitit tjetër.

Në këtë kuadër, për rubrikën e përjavshme ‘Vox’ të Radios Evropa e Lirë, kemi përzgjedhur disa opinione të të rinjve nga Kosova, të cilët flasin për ndikimin që do të ketë tani shtyrja e vendimit për heqjen e vizave në planet dhe synimet e tyre.

Ajfer Tuna, nga Prishtina, thotë se shtyrja e vendimit për heqjen e vizave i ka prishur disa plane, pasi në fund të këtij vitit, ka shpresuar të udhëtonte për në shtetin e Gjermanisë.

“Shumë plane më janë prishur. Shumë njerëz në Kosovë nuk e dinë se liberalizimi i vizave nuk është vetëm çështje e liberalizimit. Janë shumë kushte që duhet të plotësohen, përveç kushteve që po përmendin dhe kushtet tjera të brendshme, që njerëzit nuk i dinë, sepse zyrtarët nuk i tregojnë, pasi kjo është një politikë”.

“Ma merr mendja se nevojitet shumë kohë derisa Kosova të jetë e gatshme për liberalizim të vizave. Personalisht, mua m’i kanë prishur planet, sepse tashmë prapë duhet të aplikoj për viza, terminët nëpër ambasada jenë katastrofë ”, thotë Ajferi.

Edhe një i ri tjetër nga Prishtina, Kosovar Zuka, thotë se ka shpresuar që në fund të këtij viti të vizitojë Gjermaninë. Por, tashmë është i zhgënjyer nga pritjet për realizimin e këtij procesi.

“Kam shpresuar shumë herët se do të hiqen vizat, por nuk di çka po ndodh. Po shpresoj se do bëhet realizimi, po pres”, shprehet Kosovari.

Disa të rinj besojnë se institucionet nuk e kanë marrë seriozisht procesin e liberalizmit, ngase lëvizja e lirë për ta dhe familjarët e tyre, nuk paraqet problem.

Alberti, një i ri tjetër nga Prishtina, thotë se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë të zgjidhur problemin e lëvizjes së lirë që moti.

“Kur u bë Shenjtërimi i Nënës Terezë, nuk patën nevojë me pritë nëpër ambasada, por secili shkoi. Ne qytetarët duhet të presim deri tre muaj nëpër ambasada për viza, diçka që nuk është në rregull”, thotë i zemëruar Alberti.

Kurse, Fioralba Syla, studente e degës së Muzikës, pret nga autoritetet e Kosovës që t’i përmbushin kriteret e kërkuara, në mënyrë që qytetaret të lëvizin lirshëm pa viza.

Ajo tregon se ka dëshirë të dalë jashtë Kosovës për të vazhduar studimet në drejtimin që ajo studion:

“Pres të shkoj në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Tashmë po presim nga Qeveria e Kosovës, se çfarë po bën me kushtet e kërkuara. Liberalizimi i vizave është një çështje e domosdoshme, e sidomos ne që merremi me muzikë, është shumë e nevojshme të udhëtojmë më shpesh jashtë shtetit të Kosovës”, thekson ajo.

Përderisa Arbesa, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se nuk ka pasur ndonjë plan për të udhëtuar jashtë vendit, por megjithatë, sipas saj, ky proces duhet të përmbyllet.

“Nuk kam pasur plane të dal jashtë. Por, heqja e vizave është mundësi shumë e mirë për lëvizje të lirë, kur ke nevojë, por edhe mjete materiale”, thekson ajo.

Ndryshe, përveç kushtit që është kërkuar për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i riu tjetër, nga Prishtina Sadat Agushi, beson se ka edhe kushte tjera që Kosova duhet t’i plotësojë, para se t’i heqin vizat. Ndër kushtet kryesore ai përmend luftën kundër korrupsionit dhe uljen e nivelit të lartë të papunësisë.

“Kishim shkuar në vendet e BE-së, te familjarët dhe miqtë. Por, pa i luftuar këto dy fenomene negative, nuk mendoj se do të ketë liberalizim”, konsideron Sadati.

Shtyrja e vendimit për heqjen e vizave dhe zhgënjimi nga ky proces, ka shtyrë të riunBesim Beka, të mendojë që ta braktisë edhe ilegalisht Kosovën, por siç thotë ai, është penguar nga familja:

“Doja të nisesha ‘në të zezën’, por nuk më lanë. Tash po pres me shpresën se vitin tjetër do të përmbyllet ky proces”.

Kosova llogaritet të jetë ndër vendet më të izoluara në Evropë. Shkalla e lartë e papunësisë dhe numri i madh i personave të rinj të gatshëm të përfshihen në tregun e punës, besohet se ka ndikuar po ashtu që vendet e BE-së t’i mbajnë “dyert mbyllur” për Kosovën nga frika e një fluksi drejt vendeve evropiane në kërkim të një vendi pune. /REL

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img