Ministrja e ArsimitMinistrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami ka thënë se tash për tash nuk mund të hapen çerdhet, shkollat, universitetet dhe as s’mund të ketë organizime të mbrëmjeve të maturës.
Në një postim në Facebook ka thënë se gjithçka rreth hapjes së çerdheve, shkollave dhe universiteteve do të vendoset në fund të muajit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike NUK kanë dhënë përgjigje pozitive, pra, tash për tash nuk mund të hapen çerdhet, shkollat, universitetet dhe as s’mund të ketë organizime të mbrëmjeve të maturës. Gjithçka do të vendoset në fund të këtij muaji kur dalin rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë”, ka shkruar ajo.
Nxënës të dashur, prindër të respektuar,
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike NUK kanë dhënë përgjigje pozitive, pra, tash për tash NUK MUND TË HAPEN çerdhet, shkollat, universitetet dhe as s’mund të ketë organizime të mbrëmjeve të maturës.
GJITHÇKA DO TË VENDOSET NË FUND TË KËTIJ MUAJI kur dalin rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK kanë kërkuar të presim vlerësimin e fazës së dytë që do të ndodhë nga data 24 deri më 29 maj. Pra, në fund të muajit pritet të ketë një vlerësim të ri sa i përket mundësisë së relaksimit të masave që prekin fushën e arsimit.
Për organizimin të testit të arritshmerisë dhe testit të maturës tani kemi marrë rekomandimet me shkrim nga IKSHPK. Javën tjetër do të dalim edhe me data për këto dy teste. Orientimisht, testi i arritshmërisë do të jetë në javën e fundit të qershorit, derisa ai i maturës ne javën e parë të korrikut.
Për kthimin në shkollë të maturantëve, semi-maturantëve, organizimit të afatit të provimeve të qershorit do të vendoset në FUND TË MAJIT ose në FILLIM TË QERSHORIT, me kusht që gjithmonë të mbahen maska dhe të ruhet distanca.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit insiston dhe do të punojë që të kthejë në shkollë maturantët dhe semi-maturantët gjatë qershorit të paktën për dy javë por na duhet leja e MSH dhe IKSHPK.
Në takimin që kemi pasur me udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së na është thënë se për kthimin në shkollë duhet të plotësohen disa kushte shtesë. Duhet të dezinfektohet objektet shkollore një herë brenda 24 orëve.
Janë 722 shkolla të mesme të ulëta dhe 123 shkolla të mesme të larta. Pra po flasim për 845 shkolla që duhet dezinfektuar çdo 24 orë. Kjo do të jetë përgjegjësi e komunave dhe do të shohim se si ato do të mund ta bëjnë këtë edhepse duket që është tepër sfiduese.
Ne gjithashtu kërkuam që nëse kalojmë në fazën e tretë kur prindërve ju kërkohet të dalin në punë, atëherë duhet te kihet parasysh se e kemi obligim të bëjmë zgjidhje për fëmijët që nënkupton duhet të hapen çerdhet. Për këtë të fundit MSH dhe ISHKPK kanë rezerva të mëdha pasiqë me fëmijët është pothuaj e pamundshme që të mbahet distanca.
Mbrëmjet e maturës në këtë kohë nuk mund të mbahen por ato mund të organizohen menjëherë pasi të dalim nga pandemia.
Për të gjitha këto çështje kemi diskuatuar në takimin e datës 21.05.2020 i cili është mbajtur me kërkesë timen, në Ministrinë e Shëndetësisë. Në takim morën pjesë Ministri i Shëndetësisë z. Vitia, Kryeshefi i IKPSHK-së, profesor Ramadani, unë, zv.min. Thaqi i cili kryeson Komisionin Shtetëror të Maturës, zv.min. Rexhaj i cili po koordinon punën për Ekipin e Testit të Arritshmërisë si dhe Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës znj. Shpresa Shala.