Ish kryeredaktori i programit politik të ish Radio Televizionit të Prishtinës, Sylejman Shaqiri, ka kujtuar sot se si 29 vjet më parë forcat policore serbe kishin mbyllur dhunshëm këtë medium.
“Në të gjitha ambientet e radios dhe televizionit të RTP-së rreth orës 14:00 janë futur forca të mëdha të policisë serbe, njësi speciale, policë të rëndomtë dhe të armatosur rëndë. Në ato momente ne ishim në konsultime me kolegët se a ta transmetojmë një intervistë të Ibrahim Rugovës në “Ditarin” e parë, apo ta lëmë për ‘Ditarin’ e dytë. Vendosëm që ta lëshojmë menjëherë”, ka thënë Shaqiri, njofton Klan Kosova.
“Edhe në televizion dhe radio kanë qenë duke u transmetuar edicione informative. Në 14:45 është ndërprerë sinjali.
Intervista me Rugovën është transmetuar, tema ka qenë suspendimi i Kuvendit të Kosovës nga Kuvendi i Serbisë dhe masat e dhunshme serbe”.
Shaqiri në Info Magazine ka thënë se urdhri u kishte ardhur që t’i braktisnin objektet.
“Një pjesë e punëtorëve e kanë braktisur dhunshëm, kurse pjesa tjetër ka mbetur brenda dhe nuk janë lejuar që të dalin jashtë. Ka qenë skenar që të inskenohet një situatë jo e dhunshme që qytetarët nga jashtë të futeshin brenda. Kishte njerëz të porositur kinse ka pasë njerëz të vrarë dhe për të hyrë për t’i shpëtuar ata, por skenari nuk është realizuar”.
“Objektet janë pushtuar, objektet e transmetimit pastaj studiot dhe redaksitë. 1300 punëtorë janë larguar – gradualisht por jo më shumë se dy javë. Forcat serbe kërkonin që të lexoheshin lajmet e agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, por ne s’kemi pranuar. Një pjesë e gazetarëve kanë ikë për Kroaci dhe kanë nisë nxjerrjen e gazetës “Dielli”, dhe pastaj kemi shkuar në Zagreb në 1990. Kemi punuar në qershor të 92 dhe ajo redaksi është bartur në Tiranë”.