26,11,2024

Svarqa: Falemnderit LDK e Ibrahim Rugovës që po e ngrit në këmbë të shëndosha këtë shtet

Must Read

Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa, në tubimin e sotëm me qytetarë është shprehur i bindur se LDK-ja do të fitojë në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Prania juaj si gjithherë, edhe sot, e përforcon besimin tonë për një fitore të madhe në zgjedhjet e 6 tetorit”.

“Kjo fitore që do të arrihet falë jush dhe udhëtimit tonë 30 vjeçar për shtet të pavarur dhe sovran, demokraci të konsoliduar, zhvillim dhe integrim, për një të ardhme të sigurt për ne dhe pasardhësit tanë, do të jetë jo vetëm fitore për LDK-në, por fitore për Kosovën në krye me kryeministren Vjosa Osmani”.

“Sepse atë e kërkojnë miqtë dhe aleatët tanë më të mëdhenj, e kërkon koha, e kërkoni ju dhe e kërkojmë të gjithë bashkë si dhe shteti më i ri i Europës për ta qeverisë në mënyrë të mbarë”.

Madje, ai ka thënë se qysh sot mund t’i urohet fitorja LDK-së dhe Vjosa Osmanit, kandidates për kryeministre nga kjo parti.

“Kjo fitore tashmë është e paevitueshme. Ne mund që sot ta urojmë Vjosën dhe LDK-në, partinë që përmes Vjosës dhe kandidimit të saj i tregoi botës se sa i lashtë dhe i emancipuar është populli i Kosovës, i Dardanisë antike të ringjallur tashmë nga fryma rugoviane të cilin e bashkoi si dikur akademik Isa Mustafa dhe po i prin në mënyrë të dinjitetshme”.

“Vjosa jonë me ekipin më të mirë, më reprezentativ që e ka kjo trashëgimi politike brenda këtyre tri dekadave, jam i bindur se do ta gëzojë fitoren të cilën e presim shumë”.

“Besoj fuqishëm, po ashtu bashkë me ju, se Ferizaji dhe krejt Kosova do ta kthejnë për së mbari këtë shtet të cilin e shtriu përtokë keqqeverisja dhe padituria, zhvatja dhe kryeneqësia, korrupsioni dhe anarkia, si dhe rrahagjoksja dhe joligjshmëria”.

“Dy vjet ishin të mjaftueshme për t’u bindur për këtë”.

Svarqa ka deklaruar se “Kosova në këto 20 vjet lirie asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot”.

“Kjo qeveri e koalicionit në ikje e vuri në pikëpyetje jo vetëm statusin e shtetit, por edhe ekzistencën e tij dhe nga 6 tetori duhet të ja fillojmë nga zeroja dhe ta ribëjmë Kosovën tonë të dashur për hatrin e gjithë atij gjaku dhe flijimi ndër shekuj dhe për të gjithë brezat që do të vijnë”.

Ai, në fund të fjalimit, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Ferizaj, derisa ka falënderuar qytetarët e Ferizajt për besimin që i kanë dhënë atij dhe LDK-së – edhe njëherë duke qenë i bindur se LDK do të dalë fituese.

“Pjesë e kësaj fitore do të jetë edhe Ferizaj me rrethinë përmes votës, përfaqësuesve, përmes zgjedhjes që do të bëni më 6 tetor dhe përmes Vjosës kryeministre”.

“Falemnderit LDK e Ibrahim Rugovës që edhe njëherë dhe po e ngrit në këmbë të shëndosha këtë shtet dhe po dëshmon kulturë dhe emancipim qytetar, çfarë pak popuj dhe shtete në këtë pjesë të Europës mund ta bëjnë. Ne besojmë në ju, besojmë në shtet dhe fitore, të bindur se meritorët më të mëdhenj për këtë besim jeni pikërisht ju”.

“Urime fitorja jonë e madhe që do të ndodhë më 6 tetor”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img