26,12,2024

Spitali i Ferizajt ka kapacitet vetëm për 60 pacientë me COVID-19

Must Read

Në komunën e Ferizajt numri i personave të infektuar me virusin Covid-19 tashmë ka shkuar në 55, të gjitha këto raste kontakte, ndërsa sot pritet të dalin rezultatet edhe për 21 persona të tjerë të cilëve u janë marrë mostrat.

Edhe pse numri i personave të infektuar nga kjo komunë është mjaftë i madh, Spitali Rajonal i Ferizajt ka kapacitete të kufizuara për pacientët që preken nga ky virus. Drejtori i këtij spitali Jeton Zeqiri, tha se ky spital ka hapësirë vetëm për 60 pacientë, mirëpo janë duke planifikuar që objektin e ri të Institutit të Shëndeti Publik, që është i ndërtuar afër parkut “Liria”, ta vënë në dispozicion pasi kapacitetet në Prishtinë sa vijnë e zvogëlohen.

“Në qoftë se kemi një rritje të numrit të qytetarëve pozitiv në Prishtinë atëherë kapacitetet e tyre do të jenë të mbushura dhe në këtë mënyrë adresime do të bëhen edhe në qytetin tonë, ne si fazë fillestare jemi të përgatitur për 60 pacientë të cilët do të kenë suport me oksigjeno-terapi dhe më pas si opsion i dytë është objekti i ri i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që do të ketë edhe 100 shtretër kapacitet”,tha Zeqiri, transmeton Televizioni Tema.

Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se pas shpërthimit të pandemisë në këtë komunë, kanë shtuar edhe masat. Ai tha se tani nëpër marketet e Ferizajt qytetarët nuk do të lejohen të marrin shërbime pa masa mbrojtëse

“Tashmë do të ketë inspektime të shtuara, inspektorët janë në kontakt me marketet për të respektuar masat që kemi vendosur, do të kërkojmë nga qytetarët që të zvogëlohet prania e tyre, të bëjnë shërbime vetëm nga kryefamiljarët ose vetëm nga një anëtar i familjes, por në të njëjtën kohë qytetarët që shkojnë duhet të pajisen me masa mbrojtëse dhe këtë do ta kërkojmë nga marketet që mos të lejojnë futjen e qytetarëve në markete pa pasur mjetet mbrojtëse”,tha Aliu.

Aliu tha se personat të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 në Ferizaj janë vetizoluar, duke kërkuar edhe nga personat e tjerë që kanë pasur kontakt me të infektuarit të izolohen.

“Arma kryesore për t’u mbrojtur nga Covid-19 është në dorën e qytetarëve, arma e cila është në mbrojtje është izolimi në shtëpi, distanca sociale, mosdalja familjare, le t’i ndalin vizitat familjare pasi kontakti është përhapësi më i madh i Covid-19”,tha Aliu.

Edhe në Policinë Rajonale të Ferizajt, thonë se tash do të jenë më rigoroz.

“Në bashkëpunim edhe me inspektorët përkatës edhe Policia është duke marrë masat, kemi ndalime dhe ndalesa sidomos gjatë orareve të orës policore dhe të karantinimit, tani do të jemi më strikt, nuk do të lejojmë që të rrezikohet siguria e shëndetit publik”,tha Emin Beqiri, drejtor i Policisë Rajonale të Ferizajt.

Pas shtimit të numrit të personave të infektuar me koronavirus, Ferizaj është shpallur zonë karantinë. Ndërsa, fshatrat Sazli, Mirash, Varosh, Nerodime, Lloshkobare dhe lagjja ”Topojani” në Greme, janë shpallur si vatra të përhapjes së infeksionit, çka nënkupton izolimin e tyre dhe zbatimin strikt të masave parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19./Televizioni Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img