Sipas një webfaqe spanjolle, në zyrën e ministrit të Jashtëm, Josep Borrell, kanë arritur tashmë disa raporte për procesin e bisedimeve në nivelin më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilave këto bisedime do të përfundojnë me një marrëveshje historike brenda katër deri në gjashtë muaj.
Dhe siç shkruan moncloa, përcjell Telegrafi, nëse ka “tym të bardhë” në Ballkan, Spanja do të kryejë njohjen diplomatike të Kosovës.
“Burime diplomatike të mediumit theksojnë se një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do t’i japë fund argumentit se shkëputja e këtij territori në shkurt të vitit 2008 nuk ishte e mbuluar nga e drejta ndërkombëtare. Nëse po, Spanja shpejt do ta njohë Kosovën”, shkruan moncloa.com.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – së bashku me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ndodhi një dekadë më parë. Kosovën nuk e ka njohur as Bosnja fqinje, e cila ende nuk është pjesë e BE-së.
Megjithatë, siç thuhet më tej, qeveritë e njëpasnjëshme spanjolle të PP dhe PSOE kanë vuajtur presion të madh nga kryeqytetet e tjera evropiane për të bërë një gjë të tillë.
Burimet e lartpërmendura, shkruhet tutje, theksojnë se frika kryesore për Spanjën, përtej asaj që nuk i pëlqen formula e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, është se shembulli kosovar përdoret në dobi nga separatistët katalanas, të cilët mund të tundoheshin dhe të kërkojnë njohjen ndërkombëtare më vonë.
Në mes të debatit për një marrëveshje të mundshme mes Serbisë dhe Kosovës, kreu i diplomacisë spanjolle Josep Borell, ka thënë në fund të gushtit se ka ende një refuzim të fortë midis vendeve evropiane për një zgjidhje që do të kalonte përmes një shkëmbimi territoresh.
Kreu i diplomacisë spanjolle vuri në dukje se ka “shumë ngurrime” që bazohen në “një lloj kufijsh etnik të territoreve” pas raporteve që flasin për një shkëmbim të mundshëm të territorit në veri të Kosovës (i banuar nga serbë) në këmbim të një zone në Serbinë jugore (ku jetojnë kryesisht shqiptarët).