Rafina në verilindje të Athinës u përfshi papritur nga zjarret. Ndërkohë zjarrfikësit ishin duke luftuar me zjarrin në Kineta në perëndim të Athinës, pra nuk mund të dërgonin të gjitha forcat në Rafinë.
Numri i viktimave ka arritur në 74, më tepër se 150 vetë janë plagosur apo kanë pësuar djegie të rënda. Numri i personave që konsiderohen të humbur është ende i paqartë. “150 inxhinierë nga ministritë përkatëse janë duke inspektuar shtëpitë e dëmtuara.
Në to ndoshta do të gjenden viktima të tjera, të moshuar që nuk kanë arritur të dalin prej shtëpive.” – tha Myron Tsakirakis. Po ashtu në rajon ka punëtorë krahu nga vendet aziatike që nuk janë të regjistruar. Gazeta “Ta Nea” kishte zgjedhur si titull fjalën “Kataklizmo”.
Tri ditë zije në Greqi
Kryeministri Aleksis Tsipras shpalli tri ditë zije në Greqi. Ai tha në TV se tani nuk është koha për grindje politike, por për mobilizimin e të gjitha forcave. Kjo do të thotë që për momentin askush nuk duhet të ankohet për gabime të autoriteteve apo persona të paaftë në poste shtetërore. Shumica e grekëve e respektojnë një gjë të tillë, sepse nuk i kanë ende të qarta përmasat e katastrofës si dhe për respekt ndaj viktimave. Madje edhe kreu i opozitës konservatore, Kyriakos Mitsotakis, që nuk lë rast pa kritikuar Tsiprasin, tha gjatë një vizite në Rafina se tani është momenti i solidaritetit dhe unitetit.
Në rrjetet sociale shumë njerëz ofrojnë ndihmën e tyre. Autoritetet lokale dhe OJQ bëjnë thirrje për donacione. Mjaft politikanë të huaj, ndër ta edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i telefonuan Tsiprasit dhe i ofruan ndihmë.
Kritika ndaj shoferëve të papërgjegjshëm
Por edhe dëgjen edhe zëra kritikë se mungojnë përgatitjet e duhura dhe një plan në raste katastrofash. Gjithësesi shumë grekë duhet ta shikojnë gabimin edhe tek vetja, sepse një numër personash që po largoheshin nga Kineta bllokuan korsinë e emergjencës dhe për këtë shkak makinat e zjarrfikëseve nuk arritën në kohë në vendin e zjarreve.
Sipas njoftimeve të mediave policisë iu desh mjaft herë që të mbante të lirë korsinë e rasteve të emergjencës të autostradës për Athinë./DW