Në sondazhet e fundit thuhet se tani më dihet fituesi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Serbi. Zgjedhësit përcaktohen varësisht nga liderët dhe jo programet apo idelogjia e partive.
“Sondazhet e fundit para zgjedhjeve tregojnë se Partia Përparimtare Serbe (SNS)”, thotë Gjorgje Vukoviq nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID). „Kjo parti do të fitojë rreth gjysmën e votave. Pas tyre është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), në koalicion me Serbinë Unike (JS), e cila nuk ka nevojë të shqetësohet për futjen në parlament. Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera janë në zonën e rrezikut: Partia Radikale Serbe (SRS), Lëvizja Dosta (Mjaft), Partia Demokratike (DS), Koalicioni SDS-LDP-LSV, dhe Dveri-DSS. Situata ka ndryshuar disa herë dhe të gjitha këto subjekte ndodhen në kufijtë e kuotës minimale të përfaqësimit në parlament. Të mundshme janë edhe befasitë, por habia më e madhe do të ishte nëse SNS humbet kryesimin“, pohon ai.
Dominimi i SNS-së
Partia në pushtet e kryeministrit Aleksandar Vuçiq ka qenë kohët e fundit në shënjestër të kritikave, për shkak të aferave të shumta. Kjo parti është kritikuar shumë për qëndrimet e saj ndaj mediave, mungesën e transparencës, aferat me pronësi dhe financa, falsifikimin e dokumentave dhe për shkak të Marrëveshjes së Brukselit me Kosovën dhe afrimin me NATO-n. Por kjo nuk e ka influencuar shumë pozitën e kësaj partie tek zgjedhësit.
„Dimensioni tjetër që shihet në sondazhet tona, tregon se qytetarët flasin hapur për kushtet e këqija të jetës, por deri më sot nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të qytetarëve që mendojnë se Serbia është në rrugën e mirë. Ata kanë pritshmëri të larta dhe mendojnë se Vuçiqi është ai që mund t’i realizojë ato. Fushata e SNS bazohet tek kryeministri Aleksandar Vuçiq.“
Votimet për liderë
Zgjedhjet e ardhshme do të vendosen varësisht nga besimi ndaj liderëve, thotë Gjorgje Vukoviq. “Kjo është gjendja reale në sistemin zgjedhor në Serbi, sepse njerëzit duan të kenë një udhëheqës përmes së cilit mund të realizojnë interesat e tyre. Besueshmërinë më të madhe tani e gëzon Vuçiqi dhe kjo pozitë do t’i vendosë zgjedhjet. Kjo vlen edhe për partitë e tjera, sepse programet dhe idetë këtu nuk luajnë ndonjë rol të madh. Me rëndësi është të keni një lider, i cili tërheq zgjedhësit. Dallimet programore nuk kanë ndonjë peshë në përcaktimin e zgjedhësve“.
Çelësi i suksesit të SNS-së
Analisti politik Millan Nikoliq mendon se çelësi i suksesit të SNS është “kombinimi i së kaluarës patriotike dhe dëshirës aktuale për anëtarësim në BE”.„ Ky kombinim ka qenë i pëlqyer qysh në fillim. Zgjedhësit duan pra që patriotët e vërtetë të udhëheqin procesin e anëtarësimit në BE, që të mos ketë mashtrime dhe shantazhime. Nga ana tjetër, ata kanë pranuar një politikë neoliberale të Bankës Botërore dhe FMN-së. Kjo është një doktrinë e vjetruar, e cila nuk sjell rritje ekonomike dhe do të jetë një problem shumë i madh për qeverinë e ardhshme, sepse qytetarët do të kërkojnë një përparim më të shpejtë ekonomik“.
E djathta
“Imazhi patriotik i Vuçiqit është kontestuar vitet e fundit nga opozita dhe partitë nacionaliste. Vuçiqi më së shumti është kritikuar për shkak të Marrëveshjes së Brukselit dhe afrimit me NATO-n. Millan Nikoliq thotë, se kjo megjithatë nuk e ka dëmtuar imazhin e tij tek zgjedhësit, sepse ata janë të vetëdijshëm se Serbia nuk ka mundur ta mbajë Kosovën brenda Serbisë. Kosova dhe NATO janë tema me të cilat mund të manipulohet shumë emocionalisht. Sa i përket NATO-s, atje nuk po na fton kush dhe ky nuk është parakusht për afrim me BE-në“, thotë Nikoliq.
Ekzistojnë edhe vërejtje se Serbia po shkon në të djathtë, se këto subjekte po forcohen dhe se në përbërjen e re të parlamentit do të ketë një të djathtë më të fuqishme. Millan Nikoliq mendon se këto parashikime janë të ekzagjeruara. Ai mendon se për partitë e djathta nacionaliste do të votojnë 10-15% e elektoratit, që është shumë më pak se në vendet e rajonit.
Edhe Gjorgje Vukoviq mendon se do të forcohet krahu i djathtë. “Numri i zgjedhësve të këtij krahu politik në Serbi ndryshon dhe ndonjëherë shkon deri në një të tretën e votuesve. Por këta zgjedhës varësisht nga momenti, votojnë edhe SNS-në e madje edhe Partinë Liberale Demokratike (LDP) dhe Ligën Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV). Në zgjedhjet e kaluara të gjitha partitë e djathta së bashku kanë fituar rreth 15% të votave, por asnjëra nuk arriti të përfaqësohet në parlament, sepse nuk e realizoi kuotën minimale të domosdoshme prej 5%. Besoj se kësaj radhe do të ketë një renditje tjetër të votave dhe se partitë e këtij krahu do të futen në parlament, këtu mendoj në radhë të parë SRS dhe koalicioni DSS-Dveri”, vlerëson Vukoviq./dw/