Ferizaj- Dëshmitarët Ismajl Laçi dhe Kemajl Ramadani, të cilët kanë punuar si sigurim në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj në natën kritike kur ndodhi vrasja e E.I, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj thanë se i akuzuari Dardan Shabani u lejua në lokal ngase të njëjtit nuk iu gjet asgjë e dyshimtë.
Për këtë rast, Dardan Shabani akuzohet për vrasje, kurse Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti ngarkohen për pjesëmarrje në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarët Ismajl Laçi dhe Kemajl Ramadani në seancën e sotme kanë deklaruar se natën kritike më 15 qershor 2018 kanë punuar së bashku në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj dhe se i akuzuari Shabani ka qenë prezent atë natë, ndërsa i njëjti është lejuar të hyjë brenda në lokal ku po mbahej një ndejë pasi që ishte festa e Bajramit.
“Të njëjtin e ka kontrolluar kolegu Kemajl me detektor, por që nuk ka gjetur asgjë dyshuese apo metalike, prandaj i njëjti është lejuar të futet brenda në lokal”, ka thënë dëshmitari Laçi.
Fillimisht, në këtë fazë të procedurës kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi njoftoi se i akuzuari Meriton Murseli mungon, ndërsa sipas policisë dhe memorandumit zyrtar theksohet se njësiti ka verifikuar adresën e tij e cila është në fshatin Greme të Ferizajit, mirëpo sipas prindërve të tij, i njëjti ndodhet jasht vendit, përkatësisht në shtetin e Kanadasë.
Gjykatësi Krasniqi më 12 maj 2022 kishte njoftuar se për të akuzuarin Meriton Murseli do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës.
Në këto rrethana, prokurori Rasim Maloku propozoi të veçohet procedura ndaj tij, ndërsa këtë propozim nuk e kundërshtuan as avokatët Xhemajl Ahmeti dhe Skender Musa, e më pas e aprovoi dhe gjyqtari Sahit Krasniqi.
Pas kësaj, fillimisht u dëgjua dëshmitari Ismajl Laçi, i cili për rastin konkret ka deklaruar se atë natë ka punuar si sigurim në kafenenë “n’Konak”, pasi që kishte qenë me kontratë pune me kompaninë “Skyfterat-live” dhe të njëjtit e kishin njoftuar që duhej të shkonte në kafenenë “n’Konak” për të punuar.
“Kam qenë tek hyrja e dytë e lokalit, kemi bërë kontrollën e njerëzve si zakonisht, por atë natë nuk kemi gjetur asgjë gjatë kontrollës, ndërsa brenda në lokal nuk e di se çfarë ka ndodhur”, ka thënë dëshmitari.
Gjykatësi Krasniqi e ka pyetur dëshmitarin Laçi se a e ka njohur Dardan Shabanin, ndërsa ai tha se të njëjtin e njeh si qytetar, por jo më shumë.
“Dardanin e kam njoftë si qytetar, atë natë ka hy në lokal, ka ardhë përafërsisht një orë më vonë pasi që ka filluar ndeja, Dardanin e ka kontrollu kolegu im me detektor, mirëpo nuk ka gjetur asgjë gjatë kontrollës”, ka treguar tutje.
Avokati i palës së dëmtuar, Kemajl Ahmeti e ka pyetur dëshmitarin se a është kontrolluar edhe me duar tani i akuzuari Shabani, ndërsa dëshmitari u përgjigj tha se i akuzuari është kontrolluar vetëm me detektor.
Tutje, në këtë fazë të procedurës u dëgjua dëshmitari Kemajl Ramadani, i cili tha se në natën kritike kishte filluar punën si sigurim i lokalit dhe nga ora 20:00, personalisht kishte kryer kontrollin vetëm me detector, ndërsa kolegu i tij kishte kontrolluar me duar.