Mark Twein ka thënë: “Të shkruash është e lehtë. Vetëm duhet t’i largojmë fjalët e gabuara”.
Unë mendoj se kështu duhet të mbetet gjithmonë dhe duhet të bëjmë kujdes në zgjedhjen e fjalëve.
Sepse ka fjalë që sjellin stuhi në shoqëri.
E vërtetë, ne po jetojmë në demokraci, por kjo nuk do të thotë se ne guxojmë të mbjellim urrejtje.
Jo!
Ne kemi nevojë për fjalë dashurie e me dritë, e jo për helme!
Me këto mendime shkova te arka e një librarie me emër në Zvicër.
“Si ka ardhur ky libër këtu, a jam në Zvicër!”, – i thashë librashitëses.
Zonja te arka më pyeti: “Përse?”
“Zonjë, unë i lexova vetëm këto dy faqe, këtë poezi…, por këtu ka shumë dimension politik dhe që drejton krejt gabimisht”,- iu përgjigja unë.
Më shumë nuk mund të qëndroja. E lashë librashitësen me libër në duar dhe, me shumë shqetësim u nisa për terminin tim.
Për mendimin tim, autorja me këtë poezi:
-I nënçmonte shqiptarët, që aq shumë janë në Zvicër;
-I nënçmonte ushtarët e paqes, që janë në misionin më të shenjtë dhe
– Nënçmonte Zvicrën, e cila është ndër shtetet e para që e ka pranuar shtetin e Kosovës në këta kufij.
E di se një poezi mund të interpretohet në shumë mënyra.
Por, unë e njoh shumë mirë gjuhën serbe, sepse profesori ynë, Llaza, na godiste me thupër në fytyrë kur nuk dinim serbisht mirë.
Pra, duke e njohur gjuhën serbe, unë gjeta analizat që i bëhen kësaj poezie nga autorët serbë dhe nga vetë autorja, nëpër intervista.
Dhe, këto analiza çojnë pikërisht aty ku është dyshimi im, pra kundër sovranitetit të Kosovës.
E di, janë shumë dëshira dhe vetëm një realitet: Jugosllavia nuk ekziston më, sepse kjo ishte kërkesa e disa popujve, të cilët kanë vuajtur shumë nën Jugosllavi, si: kroatët, sllovenët, shqiptarët, boshnjakët, malazeztë, etj.
Sa shumë njerëz i humbëm në luftërat e fundit, sa shumë u dhunuan, sa e sa u zhdukën pa gjurmë. Të gjitha këto vrasje shkaku i regjimit kriminel të Slobodan Milosheviqit.
Prandaj, nuk mund ta kuptoj se si ka guximin dikush të shkruajë gjëra të tilla në Zvicër, në këtë parajsë, ku turku pi çaj me kurdin, ku kinezi drekon me tibetianët, ku serbët përshëndeten me shqiptarët, ku mua një ruse më fton për një film të shkurtër. Një pikë në oqean, kjo, por për dashuri kundër urrejtjes, ia vlen.
Autorja shprehet: një serb na mbretëronte dikur në një vend të Mitrovicës.
Por, unë shpresoj se autoria duhet të jetë e lumtur me faktin se sot në Mitrovicë kemi një kryetare, pra zonja Valdete Idrizi, e vlerësuar botërisht me çmimin e paqes.
Në këtë poezi po ashtu lexova se në Mitrovicë ka vajza me barkun e zbuluar…
E unë lirisht mund të them se jo vetëm në Mitrovicë, por gjithandej nëpër Kosovë vajzat vishen si nëpër Evropë.
Vajzat shqiptare nga të gjitha religjionet (sepse shqiptarët kanë katër fe të ndryshme) bartin të njëjtin trend të veshjes.
Rita ora është shqiptare, Ana Oxa, Angela Martini, Arta Dobroshi, Majlinda Kelmendi, Lira Bajramaj, Era Istrefi… këto shqiptare që përmenda nuk i takojnë religjionit të njëjtë, por i takojnë një gjuhe dhe një kulture.
Edhe mallin e autores e kuptoj, e ndiej edhe unë mallin e saj kur shkruan për natyrën, pemët e perimet, për magjistralen e Ibrit, sepse atje vërtet është mrekulli.
Ibër quhet magjistralja,
Ibër quhet ura,
Ibër quhet lumi.
Dhe, e dini prej nga vjen emri Ibër?
Vjen nga fjala shqipe “i bardhë”, pra: lumë i bardhë, magjistralja e bardhë, ura e bardhë…
Po, ajo urë është e mrekullueshme. Dhe, pikërisht në këtë urë unë do të zhvilloj një projekt me emrin e të shenjtes Nënës sonë Terezë. Me emrin e shqiptares që mori Çmimin Nobel për dashuri. Në këtë manifestim do të ftoj autore e poete nga shumë kontinente, e në emër të paqes e dashurisë, edhe shumë autore serbe.
Sepse dashuria është më e mira. Për urrejtjen nuk dua të flas, nuk dua të dëgjoj, nuk dua të lexoj më, e posaçërisht në Zvicër.
Na lini të jetojmë të lumtur!
E dini ju, autore e nderuar, si jetohet në Zvicër?
Me punë, besim të mirë, rregull dhe qetësi!