06,05,2024

Sebahate Ajeti-Sadiku: Komuna e Ferizajt ka trashëguar borxhe nga ish pushteti mbi 40 milionë euro

Must Read

Ferizaj.05.02.2018. Drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, në konferencën e parë për medie ka theksuar se komuna jonë ka borxhe të mëdha të trashëguara nga ish pushteti i kaluar.

Sipas saj, obligimet financiare të komunës ndaj operatorëve ekonomik dhe ndaj palëve të tjera, janë afro 41 milionë euro apo shprehur më saktësisht 40,831,380.75 euro.

“Është kjo një shifër që tejkalon çdo lloj rregulli të menaxhimit të parasë publike dhe dëshmon një mungesë të theksuar e të pashembullt të disiplinës financiare të pushtetit të kaluar. Kjo shifër nuk është përfundimtare, sepse mund të ketë ende fatura të padorëzuara që mund ta ndryshojnë këtë gjendje . Unë shpreh keqardhjen time që pikërisht në këtë konferencë duhet të deklaroj për këtë gjendje jo të mirë financiare në të cilën gjendet komuna jonë”, ka thënë drejtoresha Ajeti-Sadiku.

Drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, është shprehur se kjo gjendje është shkaktuar kryekëput nga keqmenaxhimi i parasë publike dhe nga keqpërdorimi i pushtetit të kaluar, nëpërmjet tejkalimit të autorizimeve formale, në shpërputhje të plotë me aktet normative që rregullojnë procedurat financiare.
“Rreth katër milionë e pesëqind mijë euro (saktësisht 4,477,467.82 euro) janë borxhet e llogaritura nga faturat e arritura, d.m.th nga punët e kryera, nga mallrat dhe shërbimet si dhe nga subvencionet e shpenzimet komunale. Kjo dëshmon se pushteti i kaluar ka harxhuar para më shumë se sa buxheti i ndarë për ato shpenzime.

Për shkak të mospagesave me kohë të obligimeve, operatorët ekonomik nëpërmjet përmbaruesve kanë dërguar faturat e tyre për ekzekutim në thesar dhe kjo vlerë kap shumën prej 1,360,000.00 euro; Vetëm detyrimet kontigjente kapin shumën prej 2,918,820.00 euro, janë këto lëndë nëpër gjykata që ende s’kanë përfunduar”, ka potencuar këtë fakt drejtoresha Ajeti Sadiku në konferencën për medie.

Ajo tutje është shprehur se për shkak të mospagesave me kohë, obligimi i komunës për shpronësimet e pronave private që kanë qenë interes për komunën është afër një milionë e katërqind e tridhjetë mijë euro, thënë më saktësisht 1,428,497.30 euro.
“178,000.00 euro është shuma me të cilën do të kompenzohen tre punëtorë shëndetësorë për shkak se në të kaluarën, në kohën e ish pushtetit janë larguar nga puna në mënyrë arbitrare. Ndër ta dy drejtorë dhe një infermiere i kanë fituar rastet përmes gjykatave dhe ne jemi të obliguar që t`ua paguajmë kompenzmin e caktuar për ta. Pothuajse asnjë pagë jubilare për mësimdhënësit e pensionuar nuk është paguar. Një numër i madh i tyre janë ankuar nëpër gjykata shuma e të cilave kap vlerën prej 236,000.00€ ndërsa për ata që nuk kanë shkuar me procedura të gjyqit e që ne duhet t’i paguajmë tash e tutje duhet ndarë shumën prej 143,000.00 euro. Pra totali i shumës për paga jubilare kap vlerën afro 400,000.00€”,

U tha poashtu se edhe 125 punëtorë të punësuar me kontrata në vepër nga ish pushteti kaluar dhe ky borxh kap shumën 84,000.00 euro, të cilat ne duhet t’i paguajmë tani.
“Vlera totale e këtyre borxheve për të cilat ne kemi obligim t’i paguajmë arrin vlerën 10,589,734 euro. Në anën tjetër obligimet që dalin nga kontratat jo të rregullta dhe të tejkaluara nga vlerat e parallogaritura dy e tre vjeçare, kapin shumën 30,241,646.00 € . Dmth, siç thashë më lartë, obligimi i komunës ndaj palëve të tjera mund ta kalojë 41 milionshin dhe kjo e rëndon shumë gjendjen finaciare tonën në periudhën e ardhshme”, ka thënë e para e financave në Ferizaj, Sebahate Ajeti-Sadiku.

Drejtoresha e Financave, tutje është ndalur edhe tek një pasqyrë e shkurtër për keqmenaxhimin e shpenzimet të parasë publike. Ajo tha se vetëm gjatë viteve 2016 dhe 2017 kontrata të lidhura me operatorë ekonomik arrijnë vlerën prej 37,675,984.00 euro e nga këto kontrata, përfshirë edhe aneks kontratat, 30,241,646.00 euro janë kryesisht në infrastrukturë.
“Vetëm në vitin 2017 janë lidhur gjithsej kontrata në vlerë prej 19,251,647.45 euro. Për të dëshmuar se është bërë keqmenaxhim në shpenzimin e parasë publike kjo vërehet më së miri ku për 10 muaj të vitit 2017 pra nga muaji janar deri ne muajin tetor, konkretisht deri me 15 tetor 2017 janë lidhur kontrata në vlerë prej 11 milionë e 850 mijë euro apo thënë më saktesisht 11,842,647.45 euro, apo shprehur e përqindje 61.52% e shumës totale të kontratave të lidhura të vitit 2017, kurse për periudhën 15 tetor deri me 20 dhjetor 2017 pra vetëm për dy muaj janë lidhur kontrata në vlerë prej 7,409.000.00 euro apo shprehur në përqindje 38.48%”, tha Ajeti-Sadiku.

U tha se kjo dëshmon se përqindja më e madhe e parave është shpenzuar për qëllime elektorale.

“Për të dëshmuar keqmenaxhimin e parasë publike , dua ta veçoj një kontratë të lidhur më herët nga komuna. Dua ta theksoj rastin kur një kontratë kornizë prej 18,000 eurosh e cila, gjithnjë sipas ligjit, ka mundur të rritet vetëm 30% ka kaluar vlerën 1 milionë e 200 mijë euro. Kjo dmth se vlera e saj është rritur 6600% apo 66 herë më shumë se vlera bazë.
Në fund, dua të deklaroj para bashkëqytetarëve tanë, që ne kemi qenë të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë financiare, edhe para se te vinim në pushtet. Pikërisht një situatë e tillë, ka qenë motiv i yni i shtuar për të ndryshuar gjendjen në komunën tonë për të mirë. Ndaj dua t`i siguroj qytetarët e komunës se Ferizajt, se kryetari Aliu, ka vizionin, përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e duhur, për të dalë nga kjo situatë shumë sfiduese, nëpërmjet strategjisë së disiplinimit financiar në të gjitha segmentet e jetës komunale”, ka përfunduar drejtorja e financave, Sebahate Ajeti-Sadiku.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aid Sahiti fitues i turneut Memorial “Agim Ramadani” në garën e peshkimit

Kurse ekipi “Agora” nga Ferizaj zuri vendit e tretë Peshkatari ferizajas Aid Sahit nga klubi i peshkimit “Agora” në garën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img