Partnerët e koalicionit qeverisës janë pajtuar për riformatimin e Qeverisë. Megjithatë, sipas tyre, ky është një proces i vështirë, prandaj nuk japin afate kohore se kur do të ndodhë një gjë e tillë
Riformatimi i Qeverisë, i premtuar nga drejtuesit e koalicionit qeverisës, duket proces i vështirë për qeveritarët.
Sipas tyre, ndryshimet në strukturë dhe në përbërje të ekzekutivit mund të prodhojnë efekte të ndryshme, prandaj thonë se nuk është proces i lehtë, shkruan “Zëri”.
Megjithatë, partnerët e koalicionit pohojnë se është vlerësim i përbashkët i tyre se riformatimi duhet të ndodhë dhe shpresojnë që nuk do të ketë vonesa në këtë proces.
Në anën tjetër subjektet opozitare thonë se Qeveria “Mustafa” nuk duhet të riformatohet, por duhet të japë dorëheqje, pasi, sipas tyre, kjo Qeveri tashmë është shkelëse e Kushtetutës së vendit, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas një takimi që ka zhvilluar me Komunitetin e Biznesit ka thënë se gjatë procesit të riformatimit të Qeverisë do të merren parasysh rekomandimet e këtij komuniteti.
“Në takim me Zyrën e Komunitetit të Biznesit, në Kuvendin e Kosovës, biseduam për hartimin e një agjende të përbashkët ekonomike dhe pako të reformave të domosdoshme. U pajtuam që gjatë procesit të riformatimit të Qeverisë, të dëgjohen dhe merren parasysh propozimet e komunitetit të biznesit. Po ashtu, diskutuam për nevojën e shtyrjes së afatit për shlyerjen e borxheve të bizneseve deri më 31 dhjetor 2016”, ka thënë Veseli.