Në kuadër të vizitës studimore të organizuar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot Rektori, Prof. Dr.Agron Bajraktari, së bashku me stafin akademik, administrativ dhe studentët e këtij Universiteti janë pritur në një takim të veqantë nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Syl Ukshini.
Gjatë këtij takimi studentët patën mundësi që të njoftohen me rolin e rëndësishëm që luan Ambasada e Kosovës në Tiranë në promovimin e shtetit të Kosovës.
Rektori Bajraktari falënderoi Ambasadorin për pritjen dhe mbështetjen ndaj UShAF, si dhe u shpreh i kënaqur që studentët u njoftuan me vendet turistike të Shqipërisë, historinë dhe veprat e artit të kësaj ane. Po ashtu, Rektori shtoi se studentëve gjatë kësaj vizite iu dha mundësia që të përfitojnë nga Universiteti „Aleksandër Moisiu“, në Durrës me të cilin UShAF lidhi Marrëveshje Bashkëpunimi.
Rektori tha se nga kjo Marrëveshje përfitojnë të dyja palët dhe se në një të ardhme të afërt do të kenë programe të përbashkëta, të cilat do të mundësojnë që stafi akademik i të dyja Universiteteve të jenë bartës të ndonjë programi të njëri – tjetrit. Po ashtu, do të bëjnë shkëmbime të stafit, do të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të të dyja palëve, si dhe do të kenë mundësi të bashkëpunojmë në programe të ndryshme të Erasmus+
Ndërsa, Ambasadori Ukshini falënderoi Rektorin dhe studentët për vizitën dhe tha se është jashtëzakonisht i emocionuar që po i jepet mundësia të kontribuoj në zhvillimin e vendasëve të tij. Ai tha se studentët kosovar kanë ardhur në Shqipëri që të njoftohen me praktikat e studentëve nga Shqipëria. Po ashtu, ai tha se Ambasada e Kosovës është e lumtur që po bëhen këto Marrëveshje dhe qëndron fuqishëm prapa këtij bashkëpunimi, sepse sipas tij i jep kuptim marrëdhënieve përmbajtësore në mes të dy shteteve dhe socializimit e krijimit të programeve dhe bizneseve të përbashkëta.