22,12,2024

Referendumi nuk sjell ndryshime kushtetuese as themelim të ushtrisë

Must Read
Fletëvotim, ilustrim

Ata ndajnë mendime të ndryshme nëse, Kosova ka nevojë apo jo të ketë ligjin për referendum, si formën më të drejtpërdrejtë të demokracisë që përfshin qytetarët në vendimmarrje.

Por, sido që të jetë, ky ligj, thuhet se nuk do të mund të prekë në dispozitat e Pakos së Presidentit Marti Ahtisaarit dhe as nuk do të mund të iniciojë ndryshimet kushtetuese.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, thotë se me Pakon e Ahtisaarit, i njohur si propozimi gjithëpërfshirës, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, është paraparë që për disa çështje që prekin Kushtetutën dhe nivelin qendror nuk mund të organizohen referendume, përderisa është përcaktuar qartë se për çfarë mund të dilet në referendum në nivelin lokal.

“Në rastin tonë, duke pas parasysh rrezikun e organizimit të referendumeve me qëllim të ndarjes së territorit apo bashkimit të pjesëve apo tërësisë të territorit me vendet tjera, atëherë me Pakon e Ahtisaarit është paraparë që për këto çështje të mos mund të organizohen referendume”.

“Me Ligjin për qeverisje lokale dhe me Kushtetutë, parashihet që mund të organizohen referendume lokale për çështje të karakterit specifik brenda kompetencave të komunave, por jo për çështje tjera”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sa u përket referendumeve në nivelin qendror, deputeti Arben Gashi thotë se i takon Kuvendit që sa më shpejt ta specifikojë mënyrën e organizimit të referendumeve dhe funksionimit të tyre.

Në opinion, por edhe në debate politike, shpesh është ngritur çështja e bllokadës së krijuar në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, siç është rasti me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Por, Gashi thotë se ky transformim kërkon ndryshime kushtetuese, ndryshime këto që nuk mund të bëhen përmes referendumit.

“Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet me referendum. Të paktën ky ka qenë qëndrimi i deritanishëm i dalë si rezultat i pavarësisë së negociuar ose sipas propozimit të presidentit Ahtisaari. Për Forcën e Sigurisë së Kosovës duhet të ndryshohet Kushtetuta”.

“Por, si garant i mos ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë të lehtë, i kemi dy të tretat e dyfishta, që do të thotë se duhet të votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, plus dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë”, shpjegon Gashi.

Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës në konceptin e saj, sipas Arben Gashit, do të mundësohej vetëm përmes një aranzhimi të ri politik me faktorin ndërkombëtar, marrë parasysh se edhe vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte një akt i koordinuar me shtetet mbështetëse të pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Dastid Pallaska, njohës i fushave juridike, thotë se për demokracitë e brishta, siç është Kosova, ligji për referendumin mund të jetë jo shumë i favorshëm. Sipas tij, ekziston rreziku që referendumi të keqpërdoret nga liderët politikë për rastet kur ata do të duan të fshihen pas votës së popullit për vendimet e tyre.

“Tani kur kjo klasë e konsumuar politike nuk po arrin që vendimet e rëndësishme në këtë vend t’ua atribuoj aleatëve ndërkombëtar dhe gjithë jo popullaritetin që mund të shoqërohet për vendime me rëndësi për vendin, tash kjo elitë e konsumuar politike, ndoshta synon që nëpërmes referendumit të zhvishet nga përgjegjësia që i takon me ligj dhe me Kushtetutë për vendimet e rëndësishme që duhet të merren”, vlerëson Pallaska për Radion Evropa e Lirë.

Referendumi nuk do të mund të përdoret si instrument për zhbllokimin e disa vendimeve, qoftë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi apo themelimin apo jo të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thekson Pallaska.

Për dallim nga Arben Gashi, Pallaska mendon se për themelimin e forcës mbrojtëse, nuk ka nevojë të ndryshohet as Kushtetuta dhe as të organizohet referendumi.

“Krijimi i një ushtrie, e Forcës së Sigurisë në kuptimin kushtetues, nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën e vendit dhe rrjedhimisht nuk mund ta paramendoj si një çështje që do t’i nënshtrohej referendumit. Për këtë arsye, unë mendoj se ushtria duhet të bëhet me veprime të caktuara, me fuqizim të kapaciteteve”, thotë ndër të tjera Pallaska.

Ndryshe nga Pallaska, njohësi tjetër i fushave juridike, Blerim Burjani, mendon se ligji për referendumin, nëse jo për ushtrinë, do të mund të shërbente si zgjidhje për të lehtësuar vendimmarrjen, sidomos për çështjen e Asociacionit apo Demarkacionit, si dy tema që nuk po mund të marrin përgjigje as vendim nga institucionet e shtetit.

“Referendumi është i nevojshëm për temat, për të cilat nuk ka konsensus politik, qoftë ndërmjet pushtetit dhe opozitës apo kur Kuvendi dështon në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje për një temë, e cila është në interesin nacional, siç është çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që kanë shpëtuar pa hyrë në filtrin e vullnetit të qytetarëve se çka mendojnë ata”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Blerim Burjani.

Mungesa e ligjit për referendumin, sipas Burjanit, vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik, por edhe si rrjedhojë e bisedimeve të Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi, për shkak të drojës së disa marrëveshje të këtij dialogu do të mund të ngriheshin më pastaj për referendum në Kosovë.

Përveç për nivelin qendror Burjani e sheh si shumë të nevojshëm këtë Ligj edhe për nivelin lokal, të komunave.

“Referendumi është më se i domosdoshëm edhe në nivelin lokal të komunave. Qytetari i rëndomtë, në kuadër të pushtetit lokal, është ballafaquar me probleme elementare, me infrastrukturë e mungesë rrugësh, me çështjet e urbanizmit në përgjithësi dhe asnjëherë nuk është pyetur qytetari se ku dhe kah duhet të ndërtohet, ta zëmë, një lokalitet ose një qendër industriale. Për këto çështje, asnjëherë nuk është pyetur qytetari”, shton Burjani.

Ligji për referendumin, deri më tani më shumë ka qenë temë debati vetëm në ato momente politike kur institucionet nuk kanë ofruar zgjidhje për çështje të caktuara. Megjithatë, një draft-ligj për referendumin nuk është proceduar ende qoftë nga qeveria apo si nismë e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img