Donacionet për t’i dal në ndihmë stafit shëndetësor për përballimin e situatës me COVID-19 po shtohen çdo ditë. I tillë ishte edhe donacioni i sotëm nga profesori universitar Shaban Buza i cili dhuroi 40 maska të përgatitura me printer 3D për stafin shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Maska të tilla nga profesori Buza janë dorëzuar edhe javën që lamë pas për Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt. Ato janë punuar në printer 3D të konceptuara për një mbrojtje efikase të stafit shëndetësor në kontaktet e përditshme me pacientë.
Maskat u pranuan nga anëtari i ekipit emergjent në Komunën e Ferizajt, Agon Zhinipotoku. Komuna e Ferizajt, përkatësisht Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu shpreh falënderimin publik për profesorin Buza që i dhuroi QKMF-së së Ferizajt, këtë donacion.