Qëndrim Guri, anëtar i klubit të çiklistëve “Kastrioti” nga Ferizaj është shpallur të martën pasdite sportisti më i mirë i Ferizajt për vitin 2016, ndërkaq çmimi special i takoi karateistes Alma Loku.
Këshilli Komunal për Sport, ka shpallur edhe dhjetë sportistët më të mirë, klubin më të mirë dhe trajnerin më të mirë për këtë vit.
Epiteti i klubit më të mirë u takoi Klubit të Volejbollit “Lubeteni” kategoria e meshkujve.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa është shprehur se zgjedhja e rregullt e sportistëve të vitit, tregon përkushtimin që e kanë sportistët, punëtorët sportivë, pedagogët e sportit, gazetarët dhe mbështetësit e sportit ferizajas, për të krijuar një sistem vlerash.
“Pra, për të vlerësuar dhe për të nderuar ata që me talentin, mundin dhe angazhimin e veçantë, janë dalluar gjatë gjithë vitit që e lamë pas. Ky manifestim tregon përkushtimin dhe punën e pandalshme për të ngritur gjithnjë e më lart vlerat sportive, për të inkurajuar përkushtimin e sportistëve dhe për të bërë të njohura botërisht rezultatet e arritura përgjatë një viti. Edhe gjatë vitit të kaluar, pushteti lokal i Ferizajt ka bërë përpjekje për t’i mbështetur të gjitha veprimtaritë sportive, për aq sa kanë lejuar mundësitë buxhetore. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk kemi mundësi financiare për të përkrahur më fuqishëm klubet sportive dhe sportistët, aq sa është e nevojshme dhe sa do të dëshironim. Por, jemi të bindur se sportistët e talentuar, që e duan sportin me gjithë zemër, e kanë gjetur dhe do ta gjejnë rrugën e suksesit, pavarësisht kushteve të punës dhe mundësive jo gjithherë të kënaqshme financiare. Ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm se sporti është veprimtari masive, që ka rëndësi të jashtëzakonshme për socializimin e të rinjve dhe për shmangien e tyre nga fenomenet negative, prandaj e meriton vëmendjen e lartë nga të gjithë. Ndaj, dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata sportistë, pedagogë, punëtorë sportivë dhe gjithë ata ferizajas që drejtpërdrejt, ose në ndonjë mënyrë e kanë mbështetur sportin, për kurajon, përkushtimin dhe angazhimin e treguar në këtë veprimtari.”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ai ndër të tjera është shprehur se kushtet për zhvillimin e sporteve dhe aktiviteteve sportive gjatë këtij viti do të përmirësohen edhe më tej.
“Tashmë është konfirmuar investimi për rregullimin e pesë fushave sportive nëpër disa fshatra të komunës së Ferizajt, gjë që do të ndikojë në masivizimin e sportit. Por, veç mbështetjes me investime, udhëheqja e komunës së Ferizajt do të jetë në krah të sportistëve dhe të gjithë atyre që e kultivojnë apo e ndihmojnë zhvillimin e sporteve”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Të gjithë fituesit e klubeve sportive janë stolisur me medalje dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në avanasimin e sportit ferizajas.