Suleyman Demir (74) nga Serika në Antalia të Turqisë gjashtë dekada me radhë punon me dorë thikat nga çeliku dhe me brirë, raporton Anadolu Agency (AA).
Demir, i cili për vete thotë se është njeriu i fundit në vendbanimin e tij që merret me këtë lloj të prodhimtarisë, çdo mëngjes hap punëtorinë e tij modeste pranë hoteleve mahnitëse me pesë yje.
Muret e “ateliesë” së tij janë të mbushur me ekzemplarë të veprave të tij artistike. Përskaj temperaturave të larta, gjashtë dekada me radhë ai ndez furrën duke përzgjedhur me kujdes çelikun nga i cili më vonë do të prodhojë një thikë unikale.
Suleyman Demir (74) nga Serika në Antalia të Turqisë gjashtë dekada me radhë punon me dorë thikat nga çeliku dhe me brirëSuleyman Demir (74) nga Serika në Antalia të Turqisë gjashtë dekada me radhë punon me dorë thikat nga çeliku dhe me brirë
Ndërsa pret që furra të arrijë temperaturën e duhur, Demir përgatit bririn i cili sipas tij i jep thikës një pamje të veçantë, dhe më pastaj fillon procesin e punimit.
Vizitorët të cilët i tërheq tingulli i çekanit mund të shohin Demirin duke fshirë djersët nga balli, ndërkohë që vet ai ka vetëm një dëshirë, që profesioni i tij të mos shkojë në harresë.
Për zanatin thotë se e ka mësuar qysh në moshën 13-14 vjeçare duke e trashëguar nga babai i tij, dhe shton se nuk është e lehtë të fitohet buka.
“Vallë ka diçka të lehtë? Ka vite që hap punëtorinë përkundër faktit që jam i pensionuar, por vazhdojë të godas me çekan me të vetmin qëllim që zanati të mos harrohet”, thekson Demir.
Sipas tij ka shumë pak njerëz që merren me punimin tradicional të thikave. “Nuk ekziston punë e lehtë. Bëjmë nxehjen, lakojmë, drejtojmë, bëjmë diçka nga asgjë. Nuk ka më të tillë që merren me këtë punë. Dikur kishte nga 8-9 që punonim bashkë tani kanë ndryshuar kohërat. Është shpikur shtypësja dhe njeriu prodhon thikë pa e prekur fare”, thotë Demir.
Sipas tij të rinjtë nuk janë të interesuar të merren me këtë lloj zanati, më shumë janë të interesuar për punë në hotel.
“Nuk ka më të atillë që janë të interesuar në zeje. Shkojnë për të punuar në hotele, në administratë. Unë jam në pension, por ende nuk mund të lë punën”, tha ai për të shtuar se ja ka mësuar zanatin të birit të tij i cili ka punëtorinë e vet.