Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar paraburgim ndaj Xhabir Zharkut, i cili dje është arrestuar nga Policia e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës teksa tentonte të dilte jashtë vendit.
Në kërkesën e saj, të siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria thotë se nëse ish-kryetari i Kaçanikut do të lihej i lirë, ai mund të ndikojë në dëshmitarët e rastit.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, në këtë çështje penale pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë, identifikimi i të cilëve në këtë fazë do të rrezikonte sigurinë e tyre.
Një arsye tjetër mbi të cilën mbështet kërkesën e saj është mundësia e arratisjes së Xhabir Zharkut, sikur ishte arratisur në Suedi pasi ishte dënuar me burg nga drejtësia kosovare.
Sipas kërkesës e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Zharku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale gjatë kohës kur mbante pozitën e kryetarit të Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, Zharku më 23 tetor 2008 si kryetar i Komunës ka marrë vendim me të cilin ka lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale që ka qenë pasuri shoqërore.
Kjo pronë i është dhënë në shfrytëzim një kompanie dhe në të do të ndërtohej objekti për banim kolektiv. E kjo sipërfaqe do të ndahet në mes të kompanisë ndërtuese dhe Komunës së Kaçanikut, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit.
Ndërsa vepra e dytë penale të cilën dyshohet të ketë kryer Xhabir zharku, ka të bëjë me vitin 2010, kur Zharku ka pasur qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për një organizatë biznesi dhe shkaktim të dëmit Komunës së Kaçanikut.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale Kaçanik në një çështje civile, sipas Prokurorisë Xhabir Zharku ka urdhëruar avokatin publik të Komunës që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, Zharku ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore.
Hetimi i Prokurorisë ka filluar në bazë të një kallëzimi penal të vitit 2015, por kundër Zharkut Hetimi ishte pezulluar në vitin 2017 sepse i njëjti ka qenë në arrati pasi që ka qenë i dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe si pasojë e arratisë nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij në procedurë.
Gjykata e Ferizajt ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e paraburgimit ndaj Xhabir Zharkut./ KALLXO.com