28,04,2024

Prokuroria kërkon aktgjykim meritor ndaj të akuzuarit se vrau gruan dhe theri me thikë shoqen e vajzën e gruas

Must Read

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martëka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit Afet Gunter Vila, i cili akuzohet për vrasjen e gruas më 2002 në Gjermani. Prokuroria kërkoi që ndaj të akuzuarit të shpallet aktgjykim meritor, ndërsa mbrojtja kërkoi dënim më të butë.

Gunter Vila po akuzohet edhe për veprën penale “Plagosja e rëndë”, për therje me thikë të shoqes e vajzës së gruas në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Rasim Maloku në fjalën përfundimtare tha se kjo çështje ishte e veçantë, pasi që ngjarja kishte ndodhur në Gjermani, ku dhe janë siguruar disa nga provat për këtë procedurë dhe në fund janë vërtetuar siç i përshkruan aktakuza veprat penale.

“Kjo çështje ka ndodhur në vitin 2002, për shkak të arratisjes së të akuzuarit kjo çështje ka mbetur e pagjykuar deri në momentin e arrestimit dhe ekstradimit në Kosovë në vitin 2011. Fillimisht këtë çështje e kishte Prokuroria e Çarkut, ndërsa në vitin 2013 kjo çështje ka kaluar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kështu në vitin 2019 është arrestuar në shtetin e Italisë dhe një vit pas në vitin 2020 është ekstraduar në Kosovë”, ka deklaruar prokurori Maloku.

I njëjti gjykatës i ka propozuar që ndaj të akuzuarit të shpallë aktgjykim meritor, me të cilin do të arrihej përgjegjësia e veprës penale.

Mbrojtësi i viktimave, Ibrahim Tërstena tha se e përkrah fjalën e prokurorit e që po ashtu propozon që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Afet Gunter Vila, avokati Avni Ibrahimi tha se mbrojtja pretendon se nuk rezulton dashja në veprat penale nga ana e të akuzuarit.

“Nga provat e administruara nuk vërtetohet se vrasja ka ndodhur me dashje, gjykatës i propozoj që ndaj të akuzuarit të shpallë dënim më të butë pasi që dënimi i ashpër do të ishte i paarsyetueshëm”, ka thënë avokati Ibrahimi

Pas kësaj, gjykatësja Goga-Lubishtani konstatoi se çështja është shqyrtuar mjaftueshëm, andaj edhe e shpalli të përfunduar gjykimin për këtë çështje.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u caktua të bëhet më 14 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2002, në dhomën e pritjes të banesës së përbashkët familjare në rrugën “Dietrichstrase”, nr.4 në Bad Oeynhause, Republika e Gjermanisë, Afet Gunter Vila me dashje e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij I.G., pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishte me tani të ndjerën gjatë periudhës njëvjeçare sa kishin jetuar së bashku në banesë.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të xhelozisë që i pandehuri e kishte ndaj bashkëshortes së tij, për të cilën dyshonte se po e tradhtonte me persona të tjerë, në ditën kritike i pandehuri kishte tentuar ta marrë në telefon disa herë, por bashkëshortja e tij nuk ishte lajmëruar pasi e kishte harruar telefonin në banesë, derisa me shoqen e saj D. kishin shkuar për të marrë me qira disa CD me filma.

Tutje, sipas dispozitivit I të aktakuzës, me t’u kthyer në banesë bashkëshortja e të pandehurit me shoqen e saj, ku aty po qëndronte dhe vajza e saj H., i pandehuri fillimisht i kërkon llogari bashkëshortes se pse nuk është përgjigjur në telefon, duke ngritur zërin vazhdimisht, kurse I. kishte tentuar ta bind se telefonin e kishte harruar në banesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pas kësaj ishte acaruar dhe më shumë duke e përmbysur një tavolinë, e pastaj I. e kishte kërcënuar me fjalët “Ti do të vdesësh”, kurse D., shoqes së I. i kishte kërkuar që të largohej nga banesa, me ç’rast e njëjta kishte refuzuar.

Më pastaj, i pandehuri, e kishte kapur me dy duar për supe I., duke e shkundur para-mbrapa, e cila arrin ta largojë të pandehurin, mirëpo i njëjti e kishte tërheq për flokë, me ç’rast kishin ndërhyrë D.-shoqja e saj dhe H.-vajza e saj që ta largojnë nga i pandehuri.

Por, sipas aktakuzës, i pandehuri atëherë kishte marrë një thikë nga kuzhina me teh rreth 20 cm, me të cilën kishte goditur një herë D.-shoqen e I. në pjesën e kraharorit e pastaj H.-vajzën e I. në pjesën e barkut, e pastaj ishte afruar I., të cilën e kishte goditur tri herë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse për shkak të gjakderdhjes së madhe, kështu e njëjta të nesërmen kishte vdekur në spitalin e Bad Oeynhausen-it.

Me këtë, i akuzuari thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja” nga neni 30, paragrafi 1 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas dispozitivit II të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës H.G. (vajzës së të ndjerës I.G., e moshës 14 vjeçare) dhe D.K. (shoqja e të ndjerës), në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke u grindur me tani të ndjerën I.G., e dëmtuara D.K. kishte tentuar të thërrasë policinë përmes telefonit.

Atëherë, i pandehuri thuhet se me thikë kuzhine me gjatësi 20 cm kishte goditur të dëmtuarën D.K. në anën e djathtë të kraharorit duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese tamgjenciale, të cilat kishin shkaktuar dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin e të dëmtuarës.

Tutje, aktakuza thotë se më pastaj i pandehuri kishte goditur të dëmtuarën H.G.- vajzën e të ndjerës, në pjesën e barkut, duke i shkaktuar plagë prerëse në anën e majtë të abdomenit me dëmtim të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit (zorrës qorre), në retroperitoneum, me ndërhyrje operative, heqje të një pjese të zorrës së hollë dhe apendiksit, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Plagosja e Rëndë” nga neni 38, paragrafi 2 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img