Zjarrfikësit mbërritën pak pas mesnate me një vinç për të hequr statujën 4 metra të lartë të Erdoganit nga sheshi qendror i qytetit, ku ishte vendosur të hënën nga artistët si pjesë e festivalit artistik “Bienalja e Wiesbadenit”.
Erdogan pasqyrohej me një dorë të ngritur, duke evokuar kështu statujën e Saddam Husseinit të rrëzuar nga pushteti nga forcat amerikane në Bagdad. Organizatorët shpresonin që statuja do të shkaktonte debat publik mbi temën kryesore të këtij viti të festivalit: lajmet e këqija.
Që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti të vitit 2016 në Ankara, spastrimi dhe përndjekja nga ana e Erdoganit i kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, përfshi disa shtetas gjermanë, është ndjekur me shumë interes nga Gjermania, e cila ka në gjirin e saj një popullsi të konsiderueshme turke.
Statuja që impononte vendosmëri e guxim e që dukej qartë edhe nga distanca, u shpërfytyrua shumë shpejt me ofendime e shënime të tilla si “Hitleri turk”.
“Në Wiesbaden, një atmosferë disi agresive po dominonte së fundi”, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë e lajmeve “DPA”.