Në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjencave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtarake dhe të njësive vendore.
Në operacionin në zonën e Laçit janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka: 12 punonjës të strukturave të Emergjencave; 20 forca të FNSH, Shkodër; 30 forca zjarrfikëse të Laçit, Lezhës, Mirditës; 60 forca ushtarake; 30 forca të policisë lokale.
Bashkia Kurbin. Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, pati dalje të ujërave nga shtrati. Dje rreth orës 19:00 pati stuhi me intensitet shumë të lartë duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit, kryesisht në lagjen nr.4, tek Konviktet dhe përgjatë unazës së qytetit.
Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes së ujërave të përroit shtetasi Kol Mënga, 48 vjeç ka humbur jetën duke u përfshirë nga rryma e fuqishme e ujit.
Forcat e MZSH-së, në bashkëpunim me forcat e ndërmarrjeve të Bashkisë Kurbin, u gjendën të parat në vendngjarje dhe dhanë ndihmën për evakuimin e banorëve të zonës, si dhe largimin e ujërave nga banesat.
U ngrit Komisioni i Emergjencave Civile të Bashkisë dhe u organizua puna për përballimin e emergjencës së krijuar.
Për pasojë janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.
Në oborret e banesave poshtë kanalit të ujërave të larta ka pasur prezencë uji, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.
Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qenë më e vështirë sepse dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.
Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuuar 6 familje, më të rrezikuarat.
Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.
Edhe në këtë Njësi Administrative forcat e ushtrisë dhe të policisë janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar komunitetin dhe largimin e ujërave nga banesat.
Në të gjithë qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Bashkia Mirditë. Në fshatin Lurth, për shkak të reshjeve intensive ka patur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujërave më pas ka rënë.
Qarku Dibër. Në Njësinë administrative Komsi, bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.
Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujërave të përroit nga shtrati ka patur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka evakuuar vetëm 1 familje.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi gjatë gjithë natës dhe sot ka monitoruar situatën e krijuar duke koordinuar veprimet e forcave operacionale.
Situata ditën e sotme është drejt përmirësimit për shkak të ndërprerjes së reshjeve intensive dhe masave të marra.
.