02,05,2024

Përkujtohet Rexhep Bislimi, njeriu i veprave të mëdha në kohët e rënda

Must Read

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rajonin e Ferizajt, Heroi i Kosovës Rexhep Bislimi është përkujtuar sot me pietet në 18 vjetorin e rënies së tij. Familjarë, bashkëveprimtarë e përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore dhe qytetarë të Ferizajt kanë vendosur lule në shtatoren e komandantit në sheshin e qytetit, ndërsa ceremonia e homazheve është zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve.
Për figurën e gjeneral Rexhep Bislimit është folur në një akademi përkujtimore, mbajtur nën patronatin e kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili me këtë rast tha se ndjehet i nderuar që të flasë për heroin e Ferizajt dhe të Kosovës, Rexhep Bislimin, dhe dëshmorin Kadrush Ilazi, të cilët vetëdijshëm iu bashkua atyre qindra dhe mijëra atdhetarëve të këtij trualli, duke ia falur veten ardhmërisë së vendit tonë dhe duke u bërë themel i lirisë e i shtetit të pavarur të Kosovës.
“Jeta dhe vepra e heroit Rexhep Bislimi, janë ekzemplarë të shkëlqyeshëm, që kanë për të shërbyer si burim frymëzimi e porosie për breza të tërë, që kanë për të shërbyer si shembuj të gatishmërisë për të flijuar gjithçka, në emër të lirisë dhe të së ardhmes pa dhunë e pa vargoj robërie. Në figurën e heroit Rexhep Bislimi ne sot shohim disa aspekte të së kaluarës sonë të afërt: shohim dimensionet e padurueshme të mizorive që ushtroheshin ndaj shqiptarëve të Kosovës në baza etnike, egërsinë e skajshme të një regjimi, për të shtypur me dhunë e brutalitet të paparë kundërshtarët e vet, por shohim edhe gatishmërinë e çeliktë të ferizajasve për të punuar e vepruar kundër shtypjes e kundër robërisë, pavarësisht çmimit që duhej paguar”, është shprehur Svarqa, deri sa ka shtuar se heroi Rexhep Bislimi ka shkuar në përjetësi, duke u bërë model i angazhimit dhe i flijimit për lirinë kombëtare, shoqërore e njerëzore.
“Por vepra e tij ka sot më shumë kuptim në Ferizajn dhe në Kosovën e pavarur, të cilën po e ndërtojmë me mundësitë tona, të lirë e të papenguar për të shfaqur kapacitetet tona shtetndërtuese, për ta ndërtuar pushtetin në shërbim të qytetarëve. Tashmë janë bërë tetë vjet e gjysmë që e kemi realizuar ëndrrën e shumë brezave për Kosovën e pavarur. E kemi realizuar edhe ëndrrën e heronjve si Rexhep Bislimi, për të jetuar të lirë dhe për ta ndërtuar jetën tonë pa ndërhyrje e pa imponime. Tetë vjet e gjysmë janë përvojë shumë e shkurtër në jetën e popujve, por përvojë e mirë për jetët e individëve. Secili prej nesh i ka vlerësimet e veta për këto vite. Por një gjë është e sigurt: është krijuar mundësia historike që për herë të parë ky vend i shumëvuajtur, ta zëjë hapin e zhvillimit e të përparimit me vendet tjera përreth. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Të gjithë ne kemi besuar se me çlirimin e vendit tonë, do të ndodhin mrekulli në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Por, nuk ka ndodhur ashtu. Përvoja gjatë këtyre viteve na ka mësuar se ndërtimi i mirëqenies ekonomike e shoqërore, nuk është një punë e lehtë që mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër. Ferizaj dhe Kosova po zhvillohen aq sa mundësojnë burimet njerëzore dhe ekonomike e financiare të tyre”, ka thënë Svarqa.
Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, në këtë akademi përkujtimore është shprehur se aktualisht komuna e Ferizajt është ndërruar në një kantier ndërtimi.
“Dhjetëra rrugë, objekte të interesit publik, ujësjellës, kanalizime, shtëpi banimi për të pastrehët dhe investime për t’i përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, janë në realizim e sipër. Ky vit është i pasur me investime që do ta ngrisin shkallën e mirëqenies sonë të përgjithshme. Përveç investimeve të planifikuara buxhetore, në shumë mbi 7 milionë e 350 mijë euro, ka zotime nga Qeveria e Kosovës, nga huadhënësit dhe donatorët, se në komunën e Ferizajt do të ketë financime të rëndësishme infrastrukturore, për ndërtimin e rrugëve, hekurudhës, trajtimin e mbeturinave, shtimin e kapaciteteve të ujit, trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e spitalit dhe objekteve me interes publik. Këto investime, pa dyshim që do të hapin edhe vende pune për të rinjtë ferizajas. Jemi të vetëdijshëm se trendet zhvillimore, nuk janë ato që i kemi pritur dikur, as në përputhje me ëndrrat tona të dikurshme. Por jam i bindur se po ecim mirë përpara dhe se do të ecim edhe më mirë, duke arritur suksese të reja, duke ndërtuar infrastrukturë përherë e më cilësore, më shumë objekte të interesit publik, shkolla dhe institucione më të mira shëndetësore. Tubime si ky i sotmi, na japin energji të reja për punë e angazhime, sepse na kujtojnë flijimin sublim të heronjve e dëshmorëve për një ditë si kjo e sotmja. Ndaj, u detyrojmë mirënjohje të përjetshme heroit Rexhep Bislimi dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë e Kosovës”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi u përqendrua në fjalën e tij në momente të veçanta rreth bashkëveprimit me heroin Rexhep Bislimi.
Të pranishmit në këtë akademi përkujtimore i ka përshëndetur edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve Gafurr Bytyqi si dhe veprimtari Ekrem Jashari.
Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi vëllai i heroit, Kemajl Bislimi.
Akademinë përkujtimore e ka bërë më solemne një program i begatshëm kulturor, ku kënduan Milaim Mezini, Arif Vladi dhe Ilir Shaqiri.
13662061_1215774955123992_6270740117550447475_o

13669359_1215775211790633_5451139303572136882_o

13708238_1215775065123981_5910747982737879906_o

13737597_1215774958457325_3560703849908895301_o

13738315_1215774938457327_7742431331023688902_o

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img