Në sheshin ”Adem Jashari” në Ferizaj të rinjtë e këtij qyteti vendosën këpucë si simbolikë për 1650 personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës, për të cilët ende nuk dihet asgjë.
Agon Zhinipitoku nga Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, tha se përmes kësaj mënyrë kanë dashur t’i kujtojnë personat që figurojnë si të zhdukur.
“Kjo është simbolikë e personave të zhdukur dhe janë këtu këpucë që simbolizojnë që ata persona ne i presim të gjallë, kjo është një plagë që ende është e hapur për ne dhe përmes këtij aktiviteti kemi dashur të sjellim në kujtesë pikërisht në këtë muaj të çlirimit të Kosovës”, tha Zhinipotoku.
Kurse, të rinjtë thanë se edhe pse nuk e kanë përjetuar luftën, dëshirojnë të përçojnë mesazhe se edhe gjeneratat e reja kanë njohuri për atë se çfarë ka ndodhur para 21 viteve dhe se nuk do ta harrojnë kurrë atë pjesë të historisë së vendit.
“E kemi bërë këtë aktivitet për personat e pagjetur, secila palë e këpucëve e simbolizon një të pagjetur. Ne jemi të lindur pas lufte dhe nuk e kemi përjetuar luftën, por me këtë mundemi me u siguru që nuk mundemi me harru atë çka ka ndodhur gjatë luftës dhe duam ta dimë historinë tonë”, tha Jon Fazliu.
Këto këpucë qëndruan gjatë tërë ditës në sheshin përballë objektit të komunës së Ferizajt, transmeton Televizioni Tema.