Feri,aj.31.08.2018. Ekzekutivi i ri i Komunës së Ferizajt, këto ditë ka pranuar një njoftim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ku bëhet e ditur se bazuar në procesin e vlerësimit të performancës sipas rregullave të Granit të Performancës, Komuna e Ferizajt nuk ka përmbushur kushtet minimale, që përmbajnë nënshkrimin e marrëveshjes së pjesëmarrjes trepalëshe, marrjen e opinionit të pamodifikuar me theksim të çështjes nga Auditori dhe të ketë shpenzuar 75% ose më shumë të buxhetit të investimeve kapitale, që e kualifikon komunën për Grantin e Performancës.
Nga tre kushtet minimale, Komuna e Ferizajt nuk ka arritur të përmbush njërin nga kushtet themelore, atë të marrjes së opinionit të pamodifikuar me theksim të çështjes nga Auditori, kriter ky që ka ndikuar në mos përmbushjen e kushteve minimale për përfitimin e grantit të performancës.
Rezultati i përgjithshëm i performancës së komunës sonë për vitin 2017 është vlerësuar me 37 pikë.
Ky dështim në përftimin e grantit, në vitin 2017, vitin e fundit të ish- qeverisjes lokale, vitin e zgjedhjeve lokale , shpërfaqë edhe njëherë para qytetarëve, jo seriozitetin, neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e pushtetit të kaluar në trajtimin e çështjeve që Komunës së Ferizajt dhe qytetarëve të saj do t’i sillnin fonde shtesë për projekte të ndryshme infrastrukturore dhe të tjera. Si pasojë e këtij jo serioziteti, mos efikasiteti dhe mos përmbushje të kushteve të parapara me rregullat e grantit të performancës, Komuna e Ferizajt rrezikon të hyj në listën e komunave që mund të mos përkrahen në vijim në kuadër të këtij granti.
Në ndërkohë, qeverisja e re, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, duke vlerësuar defektet në këtë proces dhe caktuar zyrtarin përgjegjës për këtë segment të qeverisjes dhe vlerësimit të shërbimeve komunale, me qëllim që viteve në vijim të përfitohet nga ky grant që do të mundësoj zhvillimin e projekteve me rëndësi për qytetarët tanë.