PDK ka dënuar fuqishëm sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Kosovës nga persona të paindetifikuar akoma.
Përmes një njoftimi, PDK ka thënë se ky sulm ka ardhur pikërisht në kohën kur po debatohet për cështje me interese nacional për vendin tonë.
Lexoni reagimin e plotë të PDK-së:
Partia Demokratike e Kosovës, dënon fuqishëm sulmin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar si akt të organizuar kriminal, kundër vlerave të institucionit më të lartë legjislativ të vendit. Sulmi i rëndë kriminal ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, është sulm ndaj të arriturave të Republikës së Kosovës, ndaj shtetit, rendit demokratik, kushtetues dhe qytetarëve të saj.
Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se ky akt kriminal, është bërë në kohën kur debatet për çështjet e interesit nacional janë e arritur e re e vendit tonë, përfaqësuesve të saj dhe frymës së tolerancës e transparencës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Partitë politike, deputetët dhe opinioni publik kanë përgjegjësi dhe duhet të kontribuojnë në ruajtjen e imazhit dhe promovimit të arriturave të vendit dhe synimit euro-integrues, me vlerat e shoqërisë së lirë dhe demokratike që po ndërtojmë së bashku me partnerët tanë, ShBA-në dhe BE-në. Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit që sa më shpejtë të gjejnë aktorët e këtij krimi të rëndë, të planifikuar, duke i vënë ata para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. /Lajm