PDK përmes një komunikate për media ka theksuar se Agim Bahtiri ka bërë marrëveshje me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq për ndërtimin e këtij muri.
“E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është edhe e frikshme. Për ndërtimin e atij muri që simbolizon ndarjen e Mitrovicës janë marrë vesh kryetari, Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq”, thuhet në komunikatë.
Më poshtë komunikata e plotë e PDK-së:
Ju kemi ftuar sot që të shpërfaqim të vërtetën skandaloze për ndërtimin e murit në veri të Urës së Ibrit nga strukturat paralele serbe. E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është edhe e frikshme. Për ndërtimin e atij muri që simbolizon ndarjen e Mitrovicës janë marrë vesh kryetari, Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq.
Bazuar në këto zhvillime që kanë ndodhur në qytetin e Mitrovicës, Grupi Parlamentar i PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ka iniciuar thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal më datën 14 dhjetor 2016 për të shprehur shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve, nëpërmjet një deklarate të përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare në kuvend lidhur me atë se çfarë po ndodh në pjesën veriore të Mitrovicës.
Theksi kryesor i kësaj deklarate ishte ftesa drejtuar të gjitha institucioneve relevante vendore e ndërkombëtare që urgjentisht të rrënohet ky mur ndarës i ndërtuar nga strukturat paralele serbe, i sponsorizuar nga qarqet ruse, si dhe mos të lejohet ndërtimi i asnjë lloj pengese që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve, përfshirë lëvizjen e automjeteve për raste emergjente. Pra, të mos lejohet asnjë lloj ndërtimi që është jashtë projektit për rivitalizimin e urës. Ndërtimi i këtij muri ka ngritur tensione të larta, tek të gjithë banorët shqiptarë dhe komunitetet tjera duke e konsideruar shumë të dëmshëm dhe absolutisht të papranueshëm.
Por, fatkeqësisht iniciativa e Grupit Parlamentar të PDK-së, u sabotua nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe kryesuesi i kuvendit, me qëllim të fshehjes së marrëveshjeve të fshehta në mes të kryetari Bahtiri dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kur dihet se më 9 dhjetor 2016, Agim Bahtiri deklaron për media (e citojmë) “Është arritur një marrëveshje për çështjen e murit në pjesën veriore të lumit Ibër”, (vazhdon citati) ‘’Ne kemi lejuar që të ketë 80cm lartësi, por të jetë me shkallë, do të jetë shumë i bukur, do të ketë lule, sikur është edhe në pjesën e jugut”
Këtë marrëveshje, ndërmjet kryetarëve Bahtiri – Rakiq e ka konfirmuar edhe ministrja për dialog, Edita Tahiri.
Kjo marrëveshje dhe tentimi i kryetarit Bahtiri që me kryetarin Rakiq të bëjë pazare në shkëmbimin e territoreve me pjesën veriore të Mitrovicës janë skandalet e radhës tepër të dëmshme jo vetëm për qytetarët e Mitrovicës, por edhe për gjithë Kosovën.
Andaj, duke parë dëmet e vazhdueshme që po ua shkakton qytetarëve ky person i papërgjegjshëm dhe i padijshëm;
Duke pasur parasysh situatën e krijuar nga ky person dhe rreziqet që mund të vijnë si pasojë e veprimeve të tij;
Duke parë se ky person nuk është i interesuar dhe nuk ka bërë asgjë në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore dhe kthimin e qytetarëve në pronat e tyre e as në rindërtimin e Xhamisë së Ibrit;
Duke parë se te ky person ka humbur besimi i qytetarëve dhe i partive politike për të bashkëqeverisur dhe tani qeverisë me një pakicë politike, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që kryetarit, Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës dhe i njëjti të jep dorëheqje sa më parë.
Në fund falënderojmë të gjithë qytetarët e Mitrovicës për durimin dhe maturinë që janë duke treguar, me shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet dhe respektohet. P.S: Të gjitha këto që kemi thënë i kemi faktuar përmes video dhe audio ingjizimeve.
.