Në barnatoret e Kosovës vazhdon të bëhet pazar me barna. Qytetarët pagujanë çmime të ndryshme për barna të njëjta. Ata ankohen për një gjë të tillë për vite me radhë.
Që nga paslufta në Kosovë, qytetarët kanë blerë barna me çmime të ndryshme.
Në baze të një hulumtimi që ka bërë RTV Dukagjini, në 8 komuna të Kosovës, çmimet e barnave kanë dalluar dukshëm.
Çmimi i barit Aspirinë 100mg dallon edhe brenda lagjeve të kryeqytetit.
I njëjti produkt farmaceutik, shitet me çmime të ndryshme edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Ndërsa qytetarët e Fushë Kosovës, Ferizajt dhe Podujevës, Aspirinën mund ta blejnë vetëm për 1.3 euro, shumë më lirë se në qytetet e tjera.
Dallim më i madh i çmimit vihet re në disa vitamina me ‘Omega 3’, të cilat në Fushë Kosovë, kushtojnë 18.4 euro. E njëjta vitaminë në Podujevë kushton 6 euro më lirë, ndërsa në Prizren 7 euro më lirë.
Për t’i ikur çmimit të lartë të barnave, qytetarët thonë se i përzgjedhin barnatoret ku i blejnë barnat.
I gjithë ky “pazar” me çmimin e barnave deri tani ka ndodhur në mungesë të një udhëzimi administrativ që do të rregullonte çmimin e barnave në nivel vendi.
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arjanit Jakupi, tha se po pritet që edhe ky problem të zgjidhet, pasi Udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimit të barnave tashmë është në dëgjim publik.
“Udhëzimi administrativ tenton të bëj unifikimin e çmimit të barnave. Por, ky çmim do të jetë referent me çmimet e barnave në shtetet e rajonit”, thotë për RTV Dukagjinin, Arjanit Jakupi.
Ndërsa, këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, thotë se është vetëm çështje javësh kur ky udhëzim do të finalizohet.
“Pritet nënshkrimi nga ministri Ismajli dhe Ushëzimi do të hyjë në fuqi dhe të gjitha barnatoret në Kosovë do të shesin barin e njëjtë me çmim të njëjtë si në Dragash, si në Prishtinë, Ferizaj apo Mitrovicë”, tha Matoshi.
Sipas OBSH-së, Kosova dhe Bjellorusia janë vendet e vetme në Evropë, të cilat nuk e kanë të rregulluar çmimin e barnave. /RTV Dukagjini