Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se AAK po shkon drejt fitores së madhe. Ka thënë se dikush ishte befasuar edhe kur kishte dhënë të njëjtin paralajmërim para zgjedhjeve të fundit.
“Para zgjedhjeve te fundit parlamentare, e pata bere publike nje keshille per kundershtaret e eger te Ramush Haradinajt, ta merrnin shtruar se ai do te behej kryeminister! Sot, kur jemi ne prag te zgjedhjeve te reja ndërkaq, e kam një porosi edhe per kundërshtarët edhe per mbështetësit” Miq mbajeni frymen se AAK-ja po shkon drejt fitores se madhe”!”, ka shkruar Nitaj, në një reagim në FB.
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmri Limaj dhe Isa Mustafa kanë kërkuar të shkohet në zgjedhje dhe të shpërndahet Parlamenti. Kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme kur edhe mblidhet Kryesia e Kuvendit.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.
Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi.
LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt. Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm. Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.