03,05,2024

Pajisjet mjekësore të QKMF-së i jepen në shfrytëzim Spitalit

Must Read

Dhurimi i disa pajisjeve mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare për Spitalin rajonal të Ferizajt, bëri që mbledhja e Kuvendit Komunal të Ferizajt t’i ngjajë një seminari mjekësor. Kjo pikë e rendit të ditës ngacmoi mjekët anëtarë të këtij Kuvendi, për të dalë në foltore e për t’i paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me arsyeshmërinë ose jo të këtij propozimi. Ekzekutivi kishte servuar këtë propozim-vendim me arsyetimin se këto pajisje të blera në vitin 2015, nuk i kanë shërbyer mjekësisë primare në Ferizaj, ndërkaq për to Spitali i Ferizajt ka nevojë të madhe.

“Këtë propozim e kanë dhënë ekspertët e QKMF-së, janë të involvuar në këtë rekomandim rreth 50 mjekë, kështu që qëllimi është i mirë që këto pajisje ta gjejnë vetën aty ku kanë nevojë qytetarët e Ferizajt”, tha drejtori i Shëndetësisë Besnik Berisha.

“Janë harxhuar 55 mijë e 578 euro të qytetarëve të Ferizajt për pajisje të cilat nuk janë shfrytëzuar fare prej momentit që janë blerë”, tha anëtari i PDK-së Arian Imeri.

Në anën tjetër, anëtari nga radhët e LDK-së, ish-drejtori i Shëndetësisë Burim Karameta, tha se pajisjet e blera janë shfrytëzuar gjithmonë, madje kanë shpëtuar edhe jetë.

“Ju mundeni me bë shëndetësinë edhe pa këta aparat, sepse ju jeni duke funksionuar edhe pa mjekë, do të thotë në emergjencë nuk ka asnjë mjek, d.m.th, juve s’po ju mungojnë mjekët e po ju mungon aparatura. Asnjë institucion nuk mund të licencohet pa i pas këto aparatura, kështu që ju jeni duke shkaktuar dëmtime buxhetore të komunës duke i falë këto e duke u detyrua me i ble pas gjashtë muajsh”, tha Karameta.

Por, Karametën e kundërshtoi kolegu i tij mjek,  Fitim Goga.

“Mjekësia familjare nuk e ka avancimin e duhur profesional për me u marrë me këto aparate, pasi që në to paraqiten  gjendjet e emergjencave akute, të natyrës sidomos kardiake. Ne në spital kemi nevojë shumë për këto pajisje, sepse na kryejnë shumë punë të madhe, do të thotë tek ne do të gjejnë zbatim”, tha Goga nga PDK.

Ndërkaq, Xhavit Zariqi nga AAK-ja, shprehu dilemë që këto pajisje do të shfrytëzohen edhe në Spital.

“Nëse janë të rëndësishme për Spitalin, Spitali ka qenë dashtë me i ble dhe me i vu në funksion të qytetarëve pa përjashtim. Gjithashtu nëse dikush e ka paraparë që u dashtë me u ble ato për qendrën e mjekësisë familjare ka qenë dashtë të vihen në funksion. E vërteta është se jo vetëm këto mjete, por edhe pajisjet më të thjeshta nuk vihen në shërbim të qytetarëve, por mjekët tanë nuk shkojnë aty për të shërbyer në Spital e as në QKMF, por mjekët tanë shkojnë vetëm sa për t’i marrë pacientët e për t’i dërguar nëpër ordinanca private, kjo është e vërteta”, tha Zariqi.

E, kjo deklaratë e Zariqit i ofendoi disa nga anëtarët e Kuvendit që janë edhe mjekë të këtij qyteti.

“Zëvendësministër me një shtet s’po ja përmendi emrin, ministri i shëndetësisë i kish mbledh doktorët dhe ju tha se po flitet qe ju jeni të korruptuar, atëherë një prej profesorëve i tha ministrit a po ju beson këtyre fjalëve, ministri tha po pse jo. Atëherë edhe për juve politikanëve po thonë se jeni të korruptuar, por ne s’po besojmë”, tha Xhevdet Haxhidema i PDK-së.

“Ma gjeni vetëm një mjek që ka dalë brenda orarit të punës në QKMF për të punuar në ordinancë private, atëherë unë jap përgjegjësi. Të lutem mos fol pa bazë zotëri Zariqi, sepse aty punohet me përkushtim, e nëse ju keni fakte atëherë denonconi, mos i gjithëpërfshini mjekët”, tha Heset Shatrolli.

Kësisoj, debati zgjati edhe më shumë, deri në momentin kur edhe u kërkua vota e anëtarëve. Me kërkesë të kuvendarëve pika e rendit të ditës ndryshoi formulimin ku nga dhurimi u mor vendim që këto pajisje Spitalit t’i jepen veç në shfrytëzim deri në 15 vjet. Me shumicë votash ky vendim u miratua, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dënohet shoferi i autobusit që bëri tejkalim në vijë të plotë në Ferizaj

Nga 3 prilli 2024, në Kosovë ka nisur së zbatuari Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img