Kandidatja e LDK-së, për kryeministre Vjosa Osmani në një tubim elektoral në qytetin e Ferizajit ka thënë se partia e saj nuk do të diskutojë për asnjë çmim për shtetësinë e Kosovës.
Osmani ka thënë se me gjashtë tetor, në ditën e zgjedhjeve, do të lartësohet me emrin e Republikës së Kosovës.
“Kam ardhë me pa edhe me i tregu krejt Kosovës lartësinë e shpirtit të ferizajasve, që me gjashtë tetor ta lartësojmë emrin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani, derisa, ka premtuar reforma në arsim e shëndetësi
“LDK është partia e vetme që garanton zhvillim ekonomik, mundësi për secilin qytetarë, reformim të thellë në arsim e shëndetësi. Qeveria e zhvatjes nuk e ka trajtuar kurrë Ferizajin si taksa pagues të rëndësishëm, por qeveria jonë do të jetë në shërbim të juajin. Duhet të ja njohim mërgimtarëve tanë këto merita për zhvillimin e vendit tonë”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Vjosa Osmani tha se LDK është e vetmja parti që nuk diskuton me askënd për shtetësinë e Kosovës.
LDK e mbron idenë e presidentit Rugova për krijimin e një shteti që e respekton angazhimin e secilit.
“Presidenti Rugova e donte një republikë që askush nuk ja cenon kufijtë, e këtë e garanton vetëm LDK-ja. LDK nuk diskuton me askënd për asnjë çmim shtetësinë e Kosovës, e vetëm ne mund ta bëjmë këtë sepse vetëm ne nuk jemi të shantazhuar”, tha ajo